Autoritetet belge i kanë refuzuar kërkesën për azil Albert Veliut, njohur ndryshe si “Babalja” dhe pritet që së shpejti ai të niset në drejtim të Shqipërisë për t’u përballur me akuzën e “dëshmisë së rreme”.
Gjykatat belge kanë urdhëruar nisjen e procedurave të ekstradimit dhe prokurori i çështjes ka nisur lëvizjet e përgatitjes së dokumentacionit të posaçëm për këtë vendim, duke u vënë në kontakt edhe me palën shqiptare.
Veliu u largua nga Shqipëria në drejtim të Kosovës pak jpas publikimit të audio-përgjimit, në maj të 2018, ku pretendonte se fliste me Agron Xhafajt, vëllain e Fatmir Xhafajt për të trafikuar një sasi hashashi në drejtim të Italisë.
Në Kosovë ai aplikoi për marrjen e statusit të azilantit, ndërkohë që në janar të këtij vitit u largua nga Kosova në drejtim të Hungarisë dhe më pas Belgjikës.
Prokuroria shqiptare ka arritur në përfundimin se audio-përgjimi është i montuar dhe për këtë ka marrë si të pandehur ish-deputetin e PD-së, Ervin Salianji, që akuzohet se i ka premtuar 200 mijë euro Albert Veliut dhe Fredi Alizotit për pjesëmarrjen në përgjimet në fjalë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.