Futboll

Bekham ëndërron një trajner të madh për Interin e tij, nga Mojes te Gatuzo

Ish-lojtari i famshëm anglez, Devid Bekham, po punon shumë fort për të ndërtuar një skuadër të madhe në Amerikë. Dhe gjithçka varet nga zgjedhja e trajnerit që do të drejtojë Inter Majemin. Sipas “Mirror”, në krye të listës së kandidatëve është Devid Mojes, ish-trajneri i Evertonit dhe Mançester Junajtid, por në preferencat e Bekhamit është edhe Ivan Xhenaro Gatuzo, aktualisht pa skuadër.

David Bekham nuk dëshiron të gabojë asgjë në çdo lëvizje që bën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku është sistemuar kohët e fundit. Ai është një nga pronarët e skuadrës Interi Majemi, që do të marrë pjesë në MLS (kampionati amerikan) duke filluar nga viti 2020 dhe deri atëherë duhet të jetë e kompletuar në çdo drejtim. Lëvizja e parë është zgjedhja e trajnerit të ri dhe “Spice Boy” i ka idetë të qarta. “Mirror” në Angli bën me dije se emri i David Mojes është i pari në listë për të marrë drejtimin e Inter Majemit. Në këtë listë bën pjesë edhe Karlo Ançeloti, trajneri aktual i Napolit, që në fakt nuk është italiani i vetëm.

Bekham dhe Gatuzo, kur ishin pjesë e Milanit. Gazeta Si, 11 gusht 2019

Bekham mund të emërojë trajner një ish-shok skuadre, konkretisht Gatuzon, me të cilin ka luajtur te Milani. Një tjetër emër është edhe ai i francezit Tierri Henri, trajner i Monakos deri para pak muajsh, por me një eksperiencë për t’u harruar me këtë ekip. Henri ka vetëm një avantazh në raport me kandidatët e tjerë: e njeh mirë MLS-në, ku ka luajtur me fanellën e Nju York Red Bulls. Ditët në vazhdim Bekham do të bëjë një zgjedhje dhe gjasat janë që në stolin e Inter Majemit të shohim një emër të madh të trajningut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë