Futboll

Bejl, Perisiç e Khedira, sa shumë emra të mëdhenj jashtë projektit!

Përveç lojtarëve që shiten nga klubet për të mbushur arkën, ka edhe të tjerë që nuk bëjnë pjesë në projektin tekniko-taktik të trajnerit dhe që duhen sistemuar. Dhe nuk janë të paktë, por këtë verë bie në sy fakti se në këtë grup bëjnë pjesë emra shumë të njohur.

Për trajnerët është i tmerrshëm ai momenti kur rreth vetës në stol kanë vetëm lojtarë të rinj, sepse kanë pak mundësi për të zgjidhur ndeshjen gjatë zhvillimit të saj, por po aq e bezdisshme është të kenë në stërvitje lojtarë, të cilët nuk janë pjesë e projektit të tyre. Po e përjetojnë këtë situatë aktualisht trajnerë si Konte, Sarri dhe Zidan. Shpesh trajnerët tregohen diplomatë në daljet e tyre publike, duke u shprehur për “x” lojtar se “është momenti të gjejë një skuadër tjetër”, kurse Zinedin Zidan e ka thënë troç mendimin e tij për Gereth Bejl: “Nëse largohet që nesër, është më mirë”.

Bejl, jashtë planeve të trajnerit Zidan

Po, edhe uellsiani Bejl, "Mister 100-milionëshi", është jashtë projektit. Reali e ka nxjerrë në merkato, ky nuk është një mister, por tani duhet që ky futbollist, i cili stërvitet me grupin e të rinjve, të shitet sa më parë. Bejl është jashtë projektit të trajnerit francez dhe te madrilenët është “i padëshiruar”, ashtu si edhe disa emra të tjerë mjaft të njohur edhe në Itali. Trajneri i Interit, Antonio Konte, e ka bërë të qartë pozicionin e tij kundër disa futbollistëve, siç janë Ikardi, Naingolan dhe së fundi Perisiç. “Nuk është adapt për rolin që unë kërkoj”, - ka thënë trajneri i zikaltërve për kroatin. Por edhe te Juventusi, edhe pse në një mënyrë më të butë, po u tregohet dera disa lojtarëve si Khedira dhe Matuidi. Edhe Milani ka lojtarë jashtë planeve dhe që kërkon t’i shesë, aq më tepër që i duhet të rregullojë bilancin. Kastilejo dhe Borini nuk janë lojtarë që i përshtaten lojës së trajnerit Xhampaolo, ashtu si dhe Laksalt dhe Striniç, duke parë që në skuadër janë Hernandez dhe Rodriguez. Badelj po përjeton të njëjtën situatë te Lazco, ndërsa Roma ka jashtë projektit Karsdorp, Nzonzi, Olsen dhe Gonalons.

Renato Sançes, i padëshiruar te Bajern Mynih

Edhe në klube të tjera të mëdha të Europës ka lojtarë “të padëshiruar”. Bajerni nuk ka në plane Renato Sançesin, talentin që nuk shpërtheu kurrë, por edhe Zherom Boateng për shkak të pagesës së lartë. Në Spanjë, trajneri i Atletikos, Simeone, mezi pret që sulmuesi Nikola Kaliniç të lirojë dollapin, PSG-ja në Francë kërkon të lirohet nga spanjolli Jese, kurse në Angli, mbrojtësi i Arsenalit, Koshelni, duhet të largohet. Solskjaer nuk llogarit te Mançester Junajtid mbrojtësin Darmian, ndërsa situata e Lukakut është e komplikuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë