Inteligjenca Artificiale

Bëhuni gati që ta shihni ChatGPT-në kudo në aplikacionet tuaja

OpenAI po hap akses në mjetin e tij ChatGPT për bizneset e palëve të treta, duke hapur rrugën që chatbot viral i AI-së(inteligjencës artificiale) të integrohet në aplikacione dhe shërbime të shumta.

Kompania tha që zhvilluesit tani mund të hyjnë në ndërfaqen e programimit të aplikacionit ChatGPT, ose API, e cila do t'i lejojë kompanitë të integrojnë funksionalitetin e bisedës dhe përgjigjet e mjetit në platformat e tyre. Instacart, Snap dhe Quizlet janë ndër partnerët e hershëm që eksperimentojnë me ChatGPT.

Lëvizja vjen tre muaj pasi OpenAI publikoi ChatGPT dhe mahniti shumë përdorues me aftësinë mbresëlënëse të mjetit për të gjeneruar ese origjinale, tregime dhe tekste këngësh në përgjigje të kërkesave të përdoruesve. Vala fillestare e vëmendjes ndaj mjetit ndihmoi në rinovimin e një gare armatimi midis kompanive të teknologjisë për të zhvilluar dhe vendosur mjete të ngjashme të AI në produktet e tyre.

Të marra së bashku, megjithatë, këto shërbime mund të testojnë se sa të dobishëm mund të jenë realisht chatbot-et e AI në jetën tonë të përditshme dhe sa shumë njerëzit duan të ndërveprojnë me ta për shërbimin ndaj klientit dhe përdorime të tjera në aplikacionet e tyre të preferuara.

Snap, kompania që qëndron pas Snapchat, planifikon të ofrojë një chatbot të personalizueshëm që ofron rekomandime, ndihmon përdoruesit të bëjnë plane. Quizlet, i cili ka më shumë se 60 milionë studentë që përdorin shërbimin, po prezanton një chatbot që mund të bëjë pyetje bazuar në materialet e studimit për t'i ndihmuar studentët të përgatiten për provime.

Aplikacioni për konsumator i Shopify, Shop dhe Instacart po lançojnë të dy chatbot që mund të ndihmojnë në informimin e vendimeve për blerjet e klientëve. Instacart planifikon të përdorë mjetin për t'i lejuar përdoruesit të bëjnë pyetje të tilla si "Si të bëj taco të shkëlqyera peshku?" ose "Çfarë është një drekë e shëndetshme për fëmijët e mi?" Instacart gjithashtu planifikon të lançojë një chatbot "Ask Instacart" më vonë këtë vit.

Ka qartësisht kërkesë që bizneset e tjera të ndjekin shembullin.  Kompani të tjera si Fanatics kanë shprehur më parë interes për të përdorur teknologji të ngjashme për të fuqizuar një chatbot për shërbimin ndaj klientit.

“Me nivelin e interesit të përdoruesve, kompanitë nuk duan të mbeten prapa, kështu që ekziston një shtysë bazë për të përqafuar teknologjinë e re për të mbetur konkurrues,” tha Michael Inouye, një analist në ABI Research. 

"Nëse përdoruesit angazhohen më shumë me një shërbim, kjo do të thotë më shumë të dhëna për reklamat, marketingun e mallrave dhe shërbimeve dhe marrëdhënie potencialisht më të forta me klientët."

Megjithatë, ka disa rreziqe. 

Megjithëse ChatGPT ka fituar vëmendje të konsiderueshme në mesin e përdoruesve, ai gjithashtu ka ngritur disa shqetësime,në lidhje me potencialin e tij për të përjetësuar paragjykimet dhe përhapjen e dezinformatave.

Disa sisteme shkollore, si në Nju Jork dhe Seattle, ndaluan përdorimin e ChatGPT në klasë për shkak të shqetësimeve rreth mashtrimit të studentëve. 

Dhe JPMorgan Chase po shtrëngon përkohësisht përdorimin e punonjësve për shkak të kufizimeve në softuerin e palëve të treta për shkak të shqetësimeve të pajtueshmërisë.

Burimi: CNN Business/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë