Futboll

Bëhuni gati për një tjetër Juventus, pesë objektivat e verës

Juventus do të jetë një nga ekipet më aktive në merkaton e verës. Klubi bardhezi pas dështimit edhe këtë herë në Ligën e Kampionëve pritet të riformatohet. Në pritje të zgjidhjes së çështjes së trajnerit të ri, Juventus po mendon për lojtarët që do të afrohen. Është një listë e gjatë me dëshirat dhe objektivat e drejtuesve torinez, por sipas “Corriere Dello Sport” janë pesë lojtarët, ku do të bazohet aksioni kryesor i drejtorit Paratriçi. Mauro Ikardi, Poul Pogba, Nikolo Zaniolo, Frederiko Kieza dhe Matija De Lajt emrat që pëlqehen më shumë nga Juventus.

Mauro Ikardi prej muajit Janar është në një betejë të hapur me Interin. Heqja e fashës së kapitenit, humbja e pozicionit titullar kanë shkaktuar një krisje mes argjentinasit dhe drejtuesve zikaltër. Nëse Spaleti rikonfirmohet në stolin e Interit, Mauro Ikardi mund të largohet edhe pse Vanda Nara ka konfirmuar në javët e fundit qëndrimin e tij në Milano. Juventus në fakt nuk ka qëndruar në pritje këto kohë, por mësohet se ka nisur kontaktet e para me sulmuesin dhe agjenten/grua të tij. Nëse do të realizohej, kalimi i Ikardit në Torino do të ishte një nga lëvizjet më të bujshme në historinë e merkatos, duke pasur parasysh marrëdhëniet e acaruara mes dy klubeve.

Poul Pogba dhe Juventus duket një histori dashurie që nuk ka fund asnjëherë. I larguar para tre sezonesh nga Juventus, francezi nuk është i lumtur te Mançesteri dhe është me valixhe në duar. Për këtë pistë Juventus ka një betejë shumë të madhe për të fituar, si për nga çmimi që duhet të paguaj, por edhe rroga që duhet t’i ofrojë mesfushorit kampion bote.

Dy pista më të lehta në plan të para, paraqiten Nikolo Zaniolo, Frederiko Kieza. Talenti 19-vjeçar që shpërtheu këtë vit te Roma dihet që është një tifoz bardhezi dhe synon që të kalojë  në një tjetër stad në karrierë. Juventus do të ishte vendi ideal për të duke parë moshën e gjithë mesfushorëve badhezinj. Edhe për Kiezën është e njëjta situatë. Sulmuesi i Fiorentinës duket më pranë Juventusit, me Paratriçin që e ka nisur punën për të prej disa kohësh.

Ndërkohë ëndrra e drejtuesve të Juventusit mbetet Matias De Lajt. Kapiteni i Ajaksit që tregoi forcën e tij edhe në çerekfinalen e Champions League, ku me golin e tij më kokë e eliminoi Juventusin nga ky kompeticion. Do të jetë një garë shumë e ashpër me Barcelonën dhe Realin e Madridit për holandezin, por Juventus nuk ka pse të dekurajohet, por mund të shpresojë tek ai që brenda pak vitesh pritet të jetë mbrojtësi më i mirë në botë.  

 

Më Shumë