Politike

Begaj i kërkon ‘Ramës’ buxhet për sigurinë dhe rishikim të strategjive

Gazeta Si - Presidenti Bajram Begaj ka kërkuar në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar që qeveria të parashikojë në buxhet fonde për sa i përket çështjes së sigurisë kombëtare.

Njëherësh kreu i shtetit ka kërkuar që të trajtohen me prioritet procesi i Rishikimit dhe hartimit të dokumenteve strategjikë, Strategjisë së Sigurisë Kombëtare, dokumenteve strategjike në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, emergjencave civile, si dhe strategjive sektoriale.

Presidenti i Republikes, Bajram Begaj. Gazeta Si, 23 janar 2023

“Këto dokumente nuk duhet të jenë thjesht dokumente formalë, duhet të jenë të mirëbuxhetuara dhe të sigurojnë përdorimin në mënyrë të koordinuar dhe harmonizuar të instrumenteve të fuqisë kombëtare në garantimin e sigurisë, nxisin zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, rrisin mirëqenien e qytetarëve dhe sigurojnë mbrojtjen e vlerave dhe interesave kombëtare të Republikës së Shqipërisë”, - thuhet në njoftimin e presidencës.

Mbledhja e Këshillit, ku të pranishëm ishin kryeministri Edi Rama, anëtarë të tjerë të qeverisë, si dhe institucioneve të sigurisë, zgjati dy orë, nga ora 14:00 deri në 16:00. Në fjalën e tij, kreu i shtetit e ka cilësuar vitin 2022 si të vështirë, pasi Shqipëria u përball me sulmet kibernetike nga Irani me synimet për të krijuar destabilitet.

“Viti që sapo kemi lënë pas ishte i vështirë dhe sfidues edhe për sigurinë tonë kombëtare. Në muajin korrik, ne u përballëm me një nga sulmet më të rënda kibernetike të sponsorizuar nga struktura shtetërore të Republikës Islamike të Iranit, që jo vetëm shkaktoi probleme në infrastrukturën digjitale në vend, por ishte me qëllime të dukshme politike për të shkaktuar destabilitet”, - tha Begaj.

Po presidenti nuk është ndalur vetëm me këtë konstatim, pasi sipas tij, disa fenomene apo shkaqe të tjera kanë ndikuar negativisht në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve.

“Gjatë vitit 2022 kemi kaluar situata të vështira, që lidhen me përmbytjet gjatë periudhës së dimrit; situatë e vështirë është krijuar dhe këto dy javët e fundit, si dhe zjarret gjatë periudhës së verës. Gjithashtu, ka pasur cënim të sigurisë publike nga fenomene të kriminalitetit, aktivitete të paligjshme të trafikut të lëndëve narkotike, krimit të organizuar, korrupsionit, emigracionit etj”, - ka theksuar Begaj gjatë fjalës së tij.

Sa i përket situatës në rajonin tonë, për presidentin ka pasur zhvillime me ndikim direkt apo indirekt në ruajtjen dhe mbrojtjen e interesave tona kombëtare, duke e lidhur me zhvillimet në Kosovë, nga shtete me interesa jo miqësore, nëpërmjet instrumenteve të ndryshëm janë përpjekur të zgjerojnë influencën e tyre dhe të frenojnë proceset integruese euro-atlantike të vendeve të Ballkanit.

“U ballafaquam me një situatë tepër delikate në veri të Kosovës, e cila nuk kontribuon në paqen dhe stabilitetin rajonal. Shqipëria është në krah të Kosovës dhe vlerëson ruajtjen e paprekshmërisë dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, vlerëson rolin dhe kontributin e misionit KFOR të NATO-s në garantimin e paqes dhe sigurisë, respekton parimet e fqinjësisë së mirë, si dhe mbështet dhe inkurajon dialogun Serbi-Kosovë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian dhe mbështetur nga SHBA, për arritjen e një marrëveshje përfundimtare, që do të çojë në njohje të ndërsjellë”, ka theksuar kreu shtetit gjatë fjalimit tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë