Futboll

Befasi e dyfishtë në Superiore, humbin Partizani dhe Kukësi

Fitorja e Tiranës ndaj Skënderbeut të shtunën dhe shkëputja e saj në krye të renditjes, i detyronte Partizanin dhe Kukësin të fitonin në transferuat e Laçit dhe Ballshit, por asnjëri prej tyre nuk ia ka dalë për të marrë qoftë edhe një pikë. Laçi dhe Bylisi i kanë bërë kështu një “nder” Tiranës, duke i mbajtur larg rivalët dhe njëkohësisht duke i ngritur edhe më shume mendjen se është për titullin kampion.

Laçi mbetet një “mace e zezë” për Partizanin, që gjithmonë e ka të vështirë ndaj këtij kundërshtari. Trajneri Sulejman Starova shijon fitoren e parë në kampionat, 1-0, ndaj ish-skuadrës së tij. Goli i Regi Lushkjes në pjesën e dytë u dha një goditje të fortë të kuqve, që pësojnë humbjen e dytë në katër javë kampionat. Partizani mbetet në kuotën e 6 pikëve, ndërsa pozitat e trajnerit italian, Lerda, fillojnë të lëkunden, edhe pse jemi ende në javën e katërt të Superiores.

Kukësi pëson humbjen e parë dhe ia shkakton një skuadër si Bylisi, që vjen nga Kategoria e Parë. Në stadiumin e Ballshit ka ndodhur gjithçka. Kukësi kaloi i pari në avantazh me Limajn, por Bylisi reagoi mirë, barazoi me penallti me Hidin dhe në fundin e ndeshjes shënoi edhe golin e fitores me Muratajn, duke mos i dhënë kohë kundërshtarit të bënte asgjë. Renditjen e Superiores e kryeson Tirana me 10 pikë dhe pa humbje, ndërsa pas saj vjen Teuta me 8 pikë. Partizani dhe Kukësi e kanë marrë tashmë mesazhin se do taken më të vështirë se sa e kishin menduar çështjen e titullit, pasi Tirana duket se po kthehet në kohët e arta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë