Kosova

BE vërejtje Hotit pasi i ndaloi Vuçiçit hyrjen në Kosovë

Kryeministri Avdullah Hoti ka marrë sot një kritikë nga i dërguari special i Bashkimit Europian për dialogun me Serbinë, Miroslav Lajçak, për moslejimin e vizitës në Kosovë të presidentit serb Aleksandër Vuçiç.

I dërguari i BE-së iu drejtua me një letër kreut të Qeverisë, përmes së cilës ka kërkuar respektimin dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në procesin e dialogut deri më tani.

Zyra e Kryeministrit thotë se ditët në vijim Hoti do t’i përgjigjet Lajçakut me anë letre ku do të adresohen të gjitha shqetësimet e ngritura nga BE-ja.

Letra e Lajçakut vjen disa ditë pasi ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, tha se ka ndaluar hyrjen e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“Kosova është pro lëvizjes së lirë dhe po punojmë në kuadër të dialogut që të përmbyllin gjitha çështjet e hapura me Serbinë. Unë kam pranuar letrën nga Lajçak dhe jam në komunikim të rregullt me të, por çdo kërkesë për vizitë do të trajtohet në kontekst të ndjeshmërisë së situatës nëpër të cilën po kalojmë”, ka thënë kryeministri Hoti, gjatë një paraqitjeje para gazetarëve në Prishtinë.

I pyetur në lidhje me deklaratën e 25 nëntorit të ministres së Jashtme, Haradinaj-Stublla se, presidentit serb dhe zyrtarëve tjerë nuk do t’iu lejohet hyrja në Kosovë derisa të kërkojnë falje “për gjenocidin”, kryeministri Hoti tha se qëndrimet zyrtare të qeverisë i paraqet vetëm ai, pas konsultimit me ministrat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë