Para

BE synon ngritjen e një “superagjencie” për të luftuar pastrimin e parave

Bashkimi Europian synon ngritjen e një agjencie ligjzbatuese që do të ketë si detyrë vetëm luftën kundër pastrimit të parave të pista, produkt i aktiviteteve kriminale, terrorizmit dhe korrupsionit.

Projekti nuk është thjesht një ide, por ai ka nisur të hidhet në letër dhe këtë projekt e paralajmëroi para Parlamentit Europian, zv.Komisionerja e BE-së, Dubravka Suica pas shpërthimit të skandalit të FinCEN.

“Dosjet e FinCEN na tregojnë shkallën e madhe të këtij problemi. BE duhet të veprojë me vendosmëri dhe bashkarisht me një qasje unike mbikëqyrjeje dhe koordinimi informacioni mes 27 vendeve”, deklaroi Suica në atë kohë.

Dosjet e FinCEN, agjencia amerikane kundër pastrimit të parave, rrodhën në fund të verës dhe fillim të vjeshtës së vitit të kaluar. Në to tregohej se si bankat më të mëdha në botë kishin lejuar pastrimin e mbi 2 trilionë dollarëve.

BE duket tashmë një hap pranë realizimit të një qasjeje të përbashkët kundër këtij fenomeni. Një draft i rrjedhur në media sugjeron plane për ngritjen e një agjencie të Bashkimit Europian me objektiv luftën kundër pastrimit të parave dhe një rregullore të njëjtë për të 27 vendet anëtare të unionit.

“Pastrimi i parave, financimi i terrorizmit dhe krimi i organizuar mbeten probleme domethënëse, që duhen adresuar në një nivel të përbashkët dhe jo në formë të parcelizuar nga vendet anëtare”, thuhet në dokument.

Superagjencia e BE, sipas propozimit do të ketë role e kompetenca të zgjeruara; që nga kontrolli i transfertave të parave, koordinimi dhe ndihma ndaj agjencive të vendeve anëtare dhe këshillimi i Komisionit mbi hapat që duhet të ndërmerren në luftën kundër këtij fenomeni.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë