Politike

BE shtyn sërish diskutimin për negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë

Bashkimi Europian ka anuluar papritur samitin me ministrat e Ballkanit Perëndimor. Të hënën e ardhshme, më 19 prill, Komisoni Europian kishe planifikuar një samit virtual mes ministrave të jashtëm të unionit dhe atyre të Ballkanit Perëndimor, por Gazeta Si mësohet se bisedimet janë anuluar.

Burime zyrtare i thonë Gazetës Si se diskutimet e planifikuara muaj më parë janë anuluar papritur këtë javë dhe janë shtyrë për në maj, në momentin e fundit. Ministrat e çështjeve Europiane kanë në agjendë më 20 prill një diskutim formal për Procesin e Stabilizimit dhe Asociimit, por bisedimet për Ballkanin Perëndimor, është anuluar”, i thonë burimet Gazetës Si.

Gjatë këtij ishte parashikuar që vendet e Bashkimit Europian të ndanin pikëpamjet e tyre për procesin e anëtarësimit, dialogun Kosovë-Serbi dhe Bosnjëm. Burimet i thonë Gazetës Si se po diskutohet rreth fillimit të majit (po flitet për datat 9-10 maj, por nuk është konfirmuar) të mbahet një takim fizik mes përfaqësuesve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të Bashkimit Europian, por siç thonë burimet, as atëherë vëmendja nuk pritet të jetë tek nisja e bisedimeve me Shqipërinë apo mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritarë.

Në fillim të majit, Shqipëria do të jetë duke u përgatitur për formimin e qeverisë së re.

Një vit më parë, Shqipëria mori pas shumë përpjekjesh dhe pritjeje, dritën jeshile për hapjen e negociatave, me kusht që të punonte për disa “detyrat e shtëpie” si ngritja e organeve të reja të drejtësisë dhe miratimi i reformës zgjedhore. Megjithatë, samiti i 17 prillit, ku vendet anëtare dhanë miratimin për nisjen e bisedimeve, ishte takimi i fundit ku u fol për zgjerimin dhe procesin e integrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE. Edhe pse vendet anëtare planifikuan të mblidheshin në muajt e ardhshëm për të diskutuar mbi mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, e cila do të shënonte hapjen de fakto të bisedimeve, pandemia dhe zhvillimet e tjetra politike duket se lanë Shqipërinë jashtë agjendës së unionit.

Tani ajo që mendohet t’i ketë lënë negociatat me vendin tonë në harresë janë zhvillimet e fundit në Ukrainën Lindore, pasi unioni po sforcohet për të arritur unionet për sanksione ndaj Rusisë.

Viti 2020 u bë i pari në historinë e BE-së që përfundoi pa asnjë konkluzion për Ballkanin Perëndimor, për shkak të pamundësisë për gjendjen e kompromisit me Bullgarinë rreth “interpretimit te historisë” nga Maqedonia e Veriut, duke bërë që rajoni të mungonte plotësisht në diskutimet në Bruksel edhe pas hyrjes së vitit 2021.

Vetoja e Bullgarisë preku Shqipërinë pasi anëtarët e BE e shohin pranimin e Shkupit dhe Tiranës si një proces të përbashkët dhe derisa Sofja dhe Shkupi të bëjnë një hap para drejt gjetjes së një konsensusi, nuk pritet të ketë hapa përpara as në nisjen e bisedimeve me Shqipërinë.

Së fundmi, nëntë shtete anëtare i kanë bërë thirrje në një letër krye diplomatit europian, Joseph Borrell, që të mbahet një diskutim strategjik mbi vendet e Ballkanit Perëndimor kur ministrat e jashtëm të BE të takohen në prill.

"Ne besojmë se është koha për të hedhur një vështrim strategjik në Ballkanin Perëndimor," shkruanin ministrat e jashtëm të Austrisë, Kroacisë, Çekisë, Gjermanisë, Greqisë, Irlandës, Rumanisë, Sllovakisë dhe Sllovenisë. Në letrën që mban datë 5 mars, ata argumentojnë se "shumë gjëra kanë ndryshuar" që nga diskutimi i fundit për zgjerimin në gusht të vitit 2019 duke qene se "ka pasur zhvillime dinamike politike të brendshme në të gjitha vendet e rajonit". “Pandemia ka përkeqësuar tendencat ekzistuese, duke përfshirë implikime gjeopolitike. Aktorë të tjerë janë të gatshëm të ndërhyjnë në çështjet rajonale, shpesh në kurrizin tonë" shkruajnë nëntë ministrat e jashtëm të BE-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë