Kosova

BE: Po punojmë për takimin e ardhshëm Kosovë-Serbi

I dërguari i Bashkimit Europian në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, deklaroi në një fjalim në Parlamentin Europian se unioni po punon për përgatitjen e një takimi të ri të nivelit të lartë duke u përqendruar tek çështjet e pronës.

Lajçak tha në Komitetin e Politikës së Jashtme të BE, me rastin e 25-vjetorit të marrëveshjes së Dejtonit, se dialogu Kosovë-Serbi duhet të çojë në një “marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të zgjidhë të gjitha problemet ekzistuese njëherë e përgjithmonë”.

Ai vlerësoi se në negociatat e deritanishme “është arritur përparim i plotë në zgjidhjen e çështjes së të zhdukurve”, teksa vuri në dukje se normalizimi i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës dhe situata në Bosnjë dhe Hercegovinë janë dy çështje kryesore në Ballkanin Perëndimor. Ka tashmë disa muaj që Kosova dhe Serbia nuk janë ulur në bisedime të nivelit të lartë të liderëve. Takimi i fundit mes dy vendeve është bërë në nivel ekspertësh është mbajtur me datë 29 tetor në Bruksel.

Në takimin e 29 tetorit, koordinatori i Kosovës për dialog, Skënder Hyseni dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq kanë diskutuar për zgjidhjen e pretendimeve financiare dhe çështjeve të pronës midis dy vendeve.
Në Bashkimin Europian, ashtu si në Qeveri të Kosovës, mohojnë që ka ndonjë çështje që i ka larguar palët prej tavolinës së bisedimeve, duke thënë se sapo të krijohen kushtet Hoti dhe Vuçic do të takohen përsëri me ndërmjetësimin e Lajçak.

“Është më shumë një rrugëtim i gjatë me kthesa”, tha Lajçak. “Unë jam i angazhuar për të lehtësuar dialogun për të arritur marrëveshjen gjithëpërfshirëse, me të cilën do të zgjidheshin të gjitha çështjet e hapura mes palëve”, tha ai.

I pyetur nga shefi i delegacionit të Parlamentit të Serbisë se a ka kuptim dialogu pasi Kosova nuk po i përmbush obligimet nga marrëveshjes e arritura më parë, përfshirë edhe atë për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Lajçak tha se “nuk duhet pasur frikë se do të arrihen marrëveshjet që nuk do të zbatohen”.

“Ne duam të bëjmë të qartë se gjithçka që është arritur pajtim më parë duhet të zbatohen. Po e diskutojmë këtë, përfshirë edhe afatet kohore, edhe mekanizmat e zbatimit dhe monitorimit. Nuk ka arsye të frikësohemi se marrëveshjet që do të arrihen por nuk do të zbatohen”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë