Komunitet

BE “trazon” fitoren për Teatrin Kombëtar

Për çështjen e ndërtimit të Teatrit të Ri Kombëtar Komisioni Europian përmes një letre që i ka dërguar qeverisë shqiptare, sqarohen se ligji i depozituar në Parlament nuk shkel Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Letra mban firmën e Shefes së Njësisë për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Michela Matuella, dhe i drejtohet Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi.

Matuella shkruan se “Komisioni Europian nuk ka asnjë kompetencë për të vlerësuar përputhshmërinë e Ligjit Special me kuadrin ligjor aktual të Shqipërisë”, por nga ana tjetër, ajo shprehet se nuk ka asnjë shkelje të MSA-së, siç ka deklaruar më herët opozita shqiptare.

“Artikulli 74(3) i MSA-së i referohet dhënies së aksesit të barabartë kompanive private që duan të lidhin kontrata, duke u bazuar në Ligjin Shqiptar mbi Prokurimet Publike. Komisioni Europian mirëpret vullnetin e autoriteteve Shqiptare për ta amenduar Ligjin Special, me qëllim hapjen e garës për projektin e Teatrit Kombëtar, në mënyrë që çdo kompani private të mund të aplikojë një propozim për projektin”, thuhet në letrën e Komisionit Europian.

Pak ditë më parë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se është gjetur një dakordësi me Komisionin Europian për një amendim të thjeshtë në ligj, çka do e bënte atë edhe më të hapur e transparent.

Ligji për Teatrin Kombëtar që u miratua nga shumica në fund të sesionit të kaluar parlamentar mes shumë debateve nga opozita u kthye në fund të korrikut nga Presidenti Meta për rishqyrtim, ndërsa aktualisht ndodhet në Kuvend, por pas përgjigjes nga Brukseli pritet që të amendohet për të hapur garën edhe për kompani të tjera.

Deputeti i Partisë Demokratike, Genc Pollo, ka reaguar pas publikimit të letrës së Komisionit Europian për çështjen e Teatrit të ri Kombëtar. Me anë të një postimi, Pollo shprehet se kjo është një fitore e demokratëve.

“BE, pas kërkesës tonë, konstaton se Ligji Fusha shpk ka shkelur legjislacionin europian për prokurimin publik. Ky ligj shmang garën e hapur dhe i fal 205 milionë euro kompanisë se dy Lalëve.

BE detyron dy Lalët të bëjnë ligj të ri dhe të lejojnë garën. Kjo është fitore e një beteje. Falënderime Komisionit Europian.

Por, shkeljet e ligjit shqiptar vazhdojnë, Këshilli Bashkiak i Tiranës është anashkaluar, grabitja e pronës publike ende e mundshme, financimet e drogës presin tenderin; trashëgimia historike në rrezik. Edhe këto beteja do t‘i fitojmë. Lufta vazhdon”, shprehet deputeti Pollo në rrjetin social “Facebook”.

Deputetja Jorida Tabaku deklaroi se letra e KE-së për çështjen e Teatrit “rrëzoi ligjin Rama-Fusha”.

“Siç shihet në letër, thuhet qartë se qeveria dhe bashkia kanë shkelur procedurat e prokurimit të hapur”, u shpreh Tabaku.

“KE nuk është institucion gjykues për saktësinë e ligjit, për këtë është përgjegjëse Gjykata Kushtetuese, që mbahet e bllokuar nga maxhoranca për të bërë ligje si ky”, shtoi më tej Tabaku.

Ndërsa, kryebashkiaku Erjon Veliaj e ka quajtur “një lajm të shkëlqyer” letrën e Komisionit Europian.

Nëpërmjet një postimi në “Twitter”, Veliaj thekson se Bashkimi Europian ka konfirmuar faktin që ligji për Teatrin nuk e shkel MSA-në.

Sipas tij, tani që pengesat kanë rënë, duhet t’i hapet rrugë zhvillimit të Tiranës.

“Lajm i shkëlqyer Letra e KE për Teatrin e Ri! Kush kërkoi përgjigje nga BE, tani e ka dhe s’duhet ta pengojë progresin! Teksa ligji nuk shkel MSA, kemi shansin ta bëjmë dhe më të mirë akoma! Tani që pengesat ranë, le të bashkohemi dhe të ecim përpara! #TiranaNukNdalet”, shkruan Veliaj në “Twitter”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë