Kosova

BE njihet me 5 pikat e Kurtit: Nuk kemi parë hapa vendimtarë, po shqyrtohen masa kundër Kosovës

Bashkimi Evropian ka konfirmuar se ka pranuar një letër nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që përmban planin e tij pesëpikësh për uljen e tensioneve në veri, por blloku evropian aktualisht tha se konsideron që kryeministri kosovar “nuk ka ndërmarrë hapa të duhur”.

Zëdhënësi i BE-s, Peter Stano, tha për Radion Evropa e Lirë se në Bruksel po vazhdojnë të shqyrtohen masat e mundshme ndaj Kosovës, nëse ndërkohë nuk merren hapat e duhur.

“Deri më tani nuk kemi parë asnjë hap të menjëhershëm dhe vendimtarë nga kryeministri Kurti. Zhvillimet e fundit në veri të Kosovës vetëm dëshmojnë se përshkallëzimi po vazhdon dhe kjo shkon kundër interesave të Kosovës dhe të gjithë njerëzve në Kosovë”, tha Stano.

Më 13 qershor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se i ka dërguar Borrellit një plan prej pesë pikash, që sipas tij, do të ndihmonte në uljen e tensioneve në veri.

Këtë plan, ai e ka diskutuar edhe me përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it.

Stano tha se me shtetet anëtare të bllokut janë ndarë disa nga masat të cilat do të ndërmerren ndaj Kosovës, nëse sipas tij, Kurti nuk ndërmerr hapat adekuat dhe menjëherë të ulë tensionet në veri.

“Diskutimet mes vendeve anëtare janë duke vazhduar dhe përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell, është në kontakt të përhershëm me liderët e rajonit dhe ata të vendeve anëtare të BE-së”, tha Stano.

Tensionet në veriun e Kosovës nisën më 26 maj, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq të vendosen në objektet komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur serbët lokalë u përleshën me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet mbetën të lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.

Këta kryetarë u zgjodhën më 23 prill, votime që u bojkotuan nga partitë dhe popullata lokale serbe.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara i kanë paraqitur Kurtit tri kërkesa: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri dhe kthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur e hapur për mbajtjen e zgjedhjeve në veri. Megjithatë, për t’u shpallur zgjedhjet e reja, ajo ka thënë se 20 për qind e personave në listën votuese në veri të Kosovës, duhet të nënshkruajnë një peticion me kërkesën që të mbahen votimet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë