Politike

BE ndan fondet për pandeminë, Shqipëria përfiton më pak, Serbia merr gjysmën e “tortës”

Bashkimi Europian njoftoi zyrtarisht ndarjen e fondeve mbrëmjen e së hënës për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor në luftën kundër koronavirusin, pasi Brukseli u vu nën kritika të ashpra se nuk po bën sa duhet për të ndihmuar rajonin. Vendi që do të përfitojë më shumë duket se është ai që ka kritikuar më ashpër BE-në për braktisjen e rajonit përballë pandemmisë: Serbia.

38 milion euro mësohet se do të shkojnë për të mbuluar nevojat e menjëhershme të kujdesit shëndetësor. Po ashtu, rreth 374 milion euro të ndara për Ballkanin Perëndimor në paketat ekzistuese financiare do të rishpërndahen për të ndihmuar vendet  e rajonit në përballimin e pasojave ekonomike të pandemisë.

Shqipëria është vendi që do të përfitojë më pak nga fondet e BE, pasi vetëm 4 milion euro do të përfitohen si ndihmë e menjëhershme për sistemin shëndetësor, ndërsa 46.7 milion të tjera për rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike. Maqedonia e Veriut merr 4 milion euro për Shendetësinë dhe 62 milonë të tjera për ekonominë.

Serbia është shteti që do të përfitojë më shumë nga ndarja e fondeve, pasi do të marrë 15 milion euro ndihmë të menjëhershme për sektorin e shëndetësisë dhe 78.4 milion euro mbështetje për rimëkëmbjen sociale dhe ekonomik.

Bosnja dhe Hercegovina do të përfitojë 7 milion ndihmë të menjëhershme për sektorin e shëndetësisë dhe 73.5 milion euro për rimëkëmbjen ekonomike dhe sociale.

Edhe Kosova do të marrë një ndihmë të konsiderueshme nga Bashkimi Europian, pasi 5 milion euro do të përfitohen menjëherë për sistemin shëndetësor, ndërsa 63 milion do të shkojnë për rimëkëmbjen ekonomike dhe sociale.

"Kjo është një periudhë shumë e vështira jo vetëm për BE-në, por edhe për vendet tona partnere. Ne po bëjmë të pamundurën për të zbutur ndikimin e shpërthimit të koronavirusit në jetën e njerëzve të Ballkanit Perëndimor, "tha Komisioneri i Zgjerimit  Oliver Varhelyi në një deklaratë.

Edi Rama dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç , ai malazez Milo Gjukanovic dhe kryeministri maqedonas Zoran Zaev. Gazeta Si, 2020

Ai njoftoi po ashtu se vendet e Ballkanit Perëndimor tani do të lejohen të marrin pjesë në një program të përbashkët të BE-së për të blerë pajisje mjekësore mbrojtëse siç janë maskat për punonjësit e spitalit.

Lëvizjet  e fundit vijnë ndërkohë që BE-ja po përpiqet të luftojë një betejë me Kinën dhe Turqinë, të cilat deri më tani kanë ofruar mbështetje konkrete për vendet e rajonit.

Të enjten një avioni i “Air Albania” është duke u ngarkuar me pajisje mbrojtëse dhe mjekësore në Turqi. Qeveria e presidentit Erdogan është e para që ka premtuar të ndihmojë Shqipërinë në përballimin e epidemisë.

Vendet e Ballkanit vendosën ti drejtoheshin Kinës, apo Turqisë, pasi BE-ja mbylli eksportet e mjeteve mbrojtëse në vendet jashtë bllokut.

Serbia luan “letrën kineze”

Presidenti Vucic dhe Presidenti kinez Xi Jinping, Gazeta Si, 2020

Serbia duket se ka marrë pjesën më të madhe të “tortës” së ndarë nga Bashkimi Europian, jo vetëm është vendi më i madh i rajonit, por edhe pse është vendi ballkanik që ka ushtruar më shumë presion ndaj Brukselit që nga fillimi i pandemisë.

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vučić shpërtheu ashpër ndaj Bashkimit Europian pas mbylljes se eksporteve, duke e cilësuar solidaritetit europian “një përrallë”. Në vend të kësaj, ai nuk i kurse lavdet për Kinën, e cila ka dërguar në Serbia maska, pajisje dhe mjekë,

“Kinezët janë të vetmit që mund të na ndihmojnë", tha presidenti serb pas ardhjes së ndihmës dhe pajisjeve kineze.

Që atëherë, zyrtarët e BE-së kanë filluar t’i rikujtojnë Beogradit investimet në kujdesin shëndetësor në Serbi, më shumë se 450 milion euro ndihma gjatë 20 viteve të fundit.  Por sipas presidentit serb, BE-ja ka treguar se nuk është kurrë e pranishmë në situata të vështira.

“Ne jemi duke pritur për vëllezërit tanë kinezë. Pa ju, rezulton se Europa nuk mund të na mbrojë as ne as vetën. Serbia nuk e fsheh faktin që ne nuk mund të mbrohemi. Pa Kinën dhe vëllezërit tanë kinezë, ne jemi vetëm” tha Vuçic, duke iu bashkuar kështu zërave kritikë ndaj BE-së

“Unë kam dërguar një letër të veçantë për të vetmit që mund të ndihmojnë, dhe kjo është Kina", deklaroi ai më 15 mars, ditën kur u shpall një gjendje e jashtëzakonshme në Serbi për shkak të koronavirusit.

Një person mban një maskë mbrojtëse ndërsa kalon pranë një billboardi me Flamurin Kinez në qendër të Beogradit, Gazeta Si 2020.

Ashtu si Serbia, edhe Shqipëria ka nevojë urgjente për maska dhe pajisje mjekësore. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, vendi ynë ka vetëm 140 ventilatorë. Bashkimi Europian ka parashikuar se koronavirusi mund të prekë rreth 70% të popullsisë së Europës, një skenar i papërballueshëm jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga një pjesë e madhe e vendeve anëtare të BE-së. Për vendin tonë, ku numri i maskave dhe ventilatorëve është i kufizuar, donacionet e jashtme janë jetësore. Por deri më tani, të paktën publikisht, qeveria shqiptare nuk ka kërkuar ndihmën e Kinës.

Disa vende i janë drejtuar Pekinit, jo vetëm sepse ishte vendi i pare që u përball me epideminë e koronavirusit, por edhe për shkak të situatës së rëndë ku ndodhet Italia, e cila është e lënë prej më shumë se një muaji e vetme përballë koronavirusit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë