Politike

BE mbyll kufijtë edhe për 2 javë. Shqiptarët shkojnë vetëm në Turqi, Maqedoni, Kosovë dhe Mal të Zi

Shqiptarët nuk do të mund të udhëtojnë drejt vendeve të Bashkimit Europian, përfshirë edhe Greqinë dhe Italinë fqinje edhe për 15 ditë të tjera.

Ashtu si Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Kosova, edhe Shqipëria mbeti jashtë listës së vendeve të treta me të cilat Bashkimi Europian hapi kufijtë e jashtëm. Megjithatë, në një njoftim të mëtejshëm, BE ka theksuar sot as vendi ynë dhe as shtetet e tjera të rajonit nuk përmbushin ende kriterin kryesor të menaxhimit të pandemisë COVID-19, për numrin e infektimeve për çdo 100.000 banorë. Ky numër duhet t’i korrespondojë nivelit mesatar europian, që është 16 raste infektimi për 100 mijë banorë.

Lajmi erdhi pas takimit të grupit të punës Këshillit të Bashkimit Europian mbi rishikimin çdo 15 ditë të listës së vendeve të treta për rihapjen e kufijve të jashtëm të Bashkimit Europian.

Pjesë e kësaj liste janë edhe Mali i Zi dhe Serbia, por një sërë vendesh, si Gjermania, Holanda, Austria dhe Greqia kanë mbyllur kufijtë për qytetarët serbë, për shkak të numrit të lartë të të infektuarve. Gjermania dhe Austria nuk këshillojnë udhëtimin në asnjë prej vendeve të Ballkanit, duke lëshuar një paralajmërim udhëtimi kundrejt rajonit.

Për pasojë, shqiptarët nuk mund të rezervojnë as udhëtime tranzit që kalojnë në një prej vendeve të BE-së sepse nuk lejohen të ulen në aeroporte. Vetëm rezidentët mund të udhëtojnë drejt Italisë dhe Greqisë, por për qytetarët e tjerë kufijtë e vendeve fqinjë janë të mbyllura. Për momentin shqiptarët mund të udhëtojnë pa paraqitur tampon drejt Maqedonisë së Veriut, Kosovës, Malit të Zi dhe Turqisë.

Listës së mëparshme të 14 vendeve të treta, qytetarët e të cilëve kanë të drejtë të udhëtojnë drejt Bashkimit Europian i është shtuar Australia dhe Kina, pasi autoritetet australiane kanë bërë përpjekje të konsiderueshme për menaxhimin e pandemisë së koronavirusit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë