Kosova

BE: Lajçak u keqinterpretua, ndryshimet kushtetuese vlejnë edhe për Beogradin

Deklarata nga Beogradi e të dërguarit të Bashkimit Europian për dialogun Mirosllav Lajçak se Kosova duhet të ndryshojë kushtetutën për të zbatuar Asociacion e Komunave Serbe, ka shkaktuar një sërë reagimesh të ashpra.

Pas deklaratave të opionistëve se Lajçak po mbante një qëndrim të njëanshëm, Bashkimi Europian ka deklaruar sot se i dërguari për dialogun është keqinterpretuar. Zëdhënësi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Peter Stano deklaroi se Lajçak kishte dashur te thoshte se edhe Serbia duhet të ndryshojë kushtetutën.

“Në këtë rast, është thënë ajo çka është e qartë dhe zoti Lajçak ka shpjeguar se çfarë ndodh nëse je duke e negociuar një marrëveshje ndërkombëtare. Kur arrin një marrëveshje ndërkombëtare, atëherë duhet të konsiderohen rregullimet e nevojshme ligjore nga qeveria, duke përfshirë edhe nivelin kushtetues, në mënyrë që ta integrojë atë në rendin ligjor dhe kushtetues. Dhe kjo vlen për Kosovën dhe Serbinë”, tha Stano.

Të enjten, më 15 tetor, në konferencën për media në Beograd, Lajçak kishte thënë se në një proces serioz negociator, “është e logjikshme që do të duhet të ndryshojë edhe Kushtetuta”. Ai ka theksuar se Kosova do të zbatojë të gjitha obligimet që ka marrë në Bruksel, duke përfshirë këtu edhe krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe

Deklarata për ndryshime kushtetuese ka nxitur reagime të shumta në Kosovë, kryesisht kundër çdo mundësie për ndryshimin e saj, sidomos kur bëhet fjalë për Asociacionin dhe kompetencat të këtij organi.

Stano thotë se qëndrimi i BE-së për Asociacionin nuk ka ndryshuar. Ai iu referua fjalimit të ish-përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini në Parlamentin e Kosovës më 2016, ku ajo kishte hedhur poshtë mundësinë që Asociacioni të jetë pushtet i ndarë në Kosovë.

“Ky Asociacion nuk do të jetë qeveri paralele brenda Kosovës dhe nuk do të ketë kompetenca legjislative. Do të formohet brenda kornizës ligjore dhe qeverisëse të Kosovës”, pati thënë Mogherini më 6 maj, 2016 në Kuvendin e Kosovës. Sipas Stanos, ky vazhdon të jetë qëndrim zyrtar i BE-së.

Formimi i Asociacionit është arritur me një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar në Bruksel, në vitin 2013. Dy vjet më vonë, Kosova dhe Serbia arritën edhe një marrëveshje shtesë për parimet e themelimit të tij, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet nuk janë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

Kjo temë ka ndikuar në shtyrjen e dialogut në Bruksel, pasi Serbia po insiston që të diskutohet sërish për Asociacionin ndërkohë që Kosova e konsideron si çështje të mbyllur, e cila do të zbatohet pas arritjes së marrëveshjes finale për njohje reciproke.

Asociacioni i Komunave Serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë, Mitrovicën e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanica, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Sipas marrëveshjes, objektivat kryesore e Asociacionit janë: vështrimi i plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale; fushën e arsimit; përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjen sociale; koordinimin e planifikimit urban dhe rural; aprovimi i masave për përmirësimin e kushteve lokale të jetesës për të kthyerit në Kosovë; zhvillon, koordinon, lehtëson aktivitete hulumtuese dhe zhvillimore; promovon, shpërndan, dhe avokon për çështjet me interes të përbashkët të anëtarëve të tij dhe i përfaqëson ata përfshirë tek autoritetet qendrore; vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare, etj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë