Kosova

BE: Kosova të ndryshojë kushtetutën për Asociacionin e Komunave

Bashkimi Europian duket se ka rikthyer në tavolinën e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, duke i kërkuar Prishtinës të nisë punën për implementimi e saj.

 Duke theksuar se nuk është libër i shenjtë, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Mirosllav Lajçak ka paralajmëruar se fundmi se Kosova duhet të ndryshojë kushtetutën për  themelimi e këtij asociacioni.

Në përfundim të vizitës së tij në Prishtinë, ai tha se ky asociacion është obligim që Kosova e ka ndërmarrë me marrëveshjen e vitit 2013. Lajçak u shpreh i bindur se zbatimi i marrëveshjes për Asociacionit Komunave me shumicë serbe duhet të bëhet menjëherë pas arritjes së marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.

Sipas tij, para se të ndodhë kjo, institucionet e Kosovës duhet të fillojnë diskutimin për statutin e Asociacionit.

“Asociacioni është pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse. Marrëveshja do të fillojë të zbatohet pas nënshkrimit. Pra, kjo do të thotë që zbatimi i marrëveshjes së Asociacionit, do të pasojë nënshkrimin e marrëveshjes”, deklaroi Lajçak. “Kosova ka premtuar përkushtimin e saj, Kosova e ka nënshkruar marrëveshjen, parlamenti i Kosovës e ka ratifikuar atë, kështu që Kosova duhet ta zbatojë këtë marrëveshje, e cila është pjesë e procesit, është pjesë e negociatave”, tha ai.

Por këto deklarata nuk janë mirëpritur në Prishtinë, pasi Serbia kërkon ndryshime në Kushtetutën e Kosovës për të mundësuar kalimin e më shumë përgjegjësive ekzekutive tek asociacioni i komunave serbe.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, tha të enjten mbrëma pas takimit me Lajçak se themelimi i asociacionit do t’i jepte serbëve një zë të fuqishëm në zhvillimet e fundit në Kosovë.

“Tani do t’ju jap një akt, për të cilin flitet pak dhe, deri më tani, askush nuk e ka parë në opinionin serb. Ky është një plan për të zbatuar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës, e cila përbëhet nga gjashtë elemente. Pika e parë, rregullimi i kuadrit ligjor, pika dy , Asociacioni, pika tre, policia, pika katër, gjyqësori, pika pesë, zgjedhjet lokale, pika gjashtë, dispozitat e përgjithshme”, tha ai duke vënë theksin tek ndryshimet kushtetuese.

Lajçak ndërkohë tha se askush nga bashkëbiseduesit e tij në Prishtinë nuk ka thënë se nuk do të përmbushin detyrimet e tyre.

“Në fakt, në të gjitha ato takime u thamë qartë se duhet të përmbushet asociacioni. Dhe së dyti, sa i përket çështjes së Kushtetutës, dua të them se ne po negociojmë për procese kaq serioze, saqë është logjike që edhe Kushtetuta do të duhet të ndryshojë. Dhe këtu askush nuk më tha se ishte e pamundur. Prandaj, Kushtetuta nuk është Bibla e Shenjtë”, tha ai.

Por, Kosova kundërshton çdo ndryshim që do t’i jepte përgjegjësi ekzekutive një asociacioni të tillë.

Kryeministri Avdullah Hoti pas takimit me zotin Lajçak tha se Kosova ka marrë garanci dhe mbështetje nga partnerët e saj që Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive

Lajçak the se e kupton ndjeshmërinë e kësaj çështjeje dhe faktin që në Kosovë është marrë me shumë emocion, por theksoi se Gjykata Kushtetuese e miratoi marrëveshjen në vitin 2015”.

“Gjykata ka thënë se Asociacioni duhet të themelohet në bazë të vendimit të Gjykatës, kështu që hapi i radhës duhet të jetë diskutimi mbi statutin dhe kjo është që ne ne presim”, theksoi ai.

Serbia kërkon prej kohësh që në bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian të diskutohet për këtë asociacion, ndërsa Kosova thekson se kjo çështje është mbyllur me marrëveshjet ekzistuese të vitit 2013 dhe 2015.

Autoritetet në Serbi kanë paralajmëruar mundësinë e tërheqjes së përfaqësuesve të komunitetit serb nga institucionet e Kosovës, në rast se nuk zbatohet marrëveshja. Por, zoti Lajçak tha sot se politikanët serbë nuk kanë nevojë të tërhiqen, sepse zyrtarët e Kosovës janë pajtuar gjatë takimeve me të se do të diskutojnë për Asociacionin.

Serbia kërkon që ky mekanizëm të krijohet sipas marrëveshjes së arritur në vitin 2015, e cila i jep serbëve të Kosovës përgjegjësi të gjera në disa fusha, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte gjetur shkelje të shumta në marrëveshje dhe sipas opinionit të saj, asociacioni mund të krijohet vetëm sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Në reagimin e tij të parë, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, shkroi të enjten në llogarinë e tij në Facebook se gjatë takimit Lajçak ka prezantuar një letër të 24 gushtit të vitit 2015, një ditë para nënshkrimit të marrëveshjes nga ish shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini lidhur me asociacionin.

“Dua të konfirmoj se sipas BE-së, asociacioni nuk do të konstituohet si nivel i tretë i qeverisjes dhe nuk do ketë fuqi ekzekutive”, thuhet në tekstin e letrës të publikuar nga zoti Mustafa

Marrëveshja për asociacionin ishte pjesë e marrëveshjeve të arritura në Bruksel në vitin 2013, ndërsa më 25 gusht të vitit 2015, Kosova dhe Serbia ranë dakort për çështjet që kanë të bëjnë me energjinë, lëvizjen e lirë në veriun e Kosovës dhe asociacionin e komunave me shumicë serbe.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë