Kosova

BE: Kosova dhe Serbia të ndalin menjëherë tensionet

Pas tensioneve në kufirin Kosovë-Serbi, Bashkimi Europian u ka kërkuar të dyja palëve të ruajnë qetësinë dhe të mos përshkallëzojnë tensionet.

Zëdhënësi i BE-së për Politikë dhe Siguri të Jashtme, Peter Stano, ka folur në një konferencë për media për pas vendosjes të reciprocitetit nga Kosova, për targat e mjeteve që vijnë nga Serbia.

Stano deklaron se aktualisht, përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak është në Beograd dhe do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçic për zgjidhjen e çështjes.

"Ai gjithashtu ka qëndruar në kontakt me autoritetet e Kosovës për zgjidhjen e çështjes. Qêllimi i Bashkimit Europian është krijimi i kushteve për pajtimin dhe stabilitetin në rajon, nga të cilat përfitojnë qytetarët e rajonit. Jemi duke vëzhguar situatën nga afër dhe dua të theksoj liria e lëvizjës është një kusht themelor i BE-së dhe këtë e presim edhe nga Kosova dhe Serbia ta promovojnë. Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të përmbahen dhe të reduktojnë tensionet. Menjëherë dhe pa ndonjë vonesë”, ka deklaruar Stano.

Stano ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të përdorin dialogun si platformën e vetme për të zgjidhur të gjitha çështjet e hapura që mund t’i kenë këto dy vende, përfshirë edhe lirinë e lëvizjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë