Kosova

BE: Agresorët serbë të vihen para drejtësisë. Takim i posaçëm në Bruksel për Kosovën

Nga Gazeta 'Si' - Vendet anëtare të Bashkimit Europian do të mbajnë sot një takim të posaçëm për situatën në veri të Kosovës ku do të diskutohen hapat e nevojshëm që do të ndërmerren për këtë situatë.

BE ka insistuar që përgjegjësit për sulmet në veri të Kosovës të dalin përpara drejtësisë.

Lajmin e bëri të ditur, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano i cili u shpreh se hetimet janë duke vazhduar për situatën e rëndë në veri.

“EULEX-i është në terren si reaguesi i dytë. Është i angazhuar me kërkesë të Policisë së Kosovës. Bashkëpunimi deri më tani ndërmjet Policisë së Kosovës dhe EULEX-it është shumë i mirë. Komandanti i EULEX-it është në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, dhe informon për të gjitha hollësitë në terren.

Hetimet po vazhdojnë dhe ato nuk janë kryer akoma. Ato janë krejtësisht në duart e Policisë së Kosovës, dhe me kërkesë, ata asistohen nga EULEX-i dhe KFOR-i. Duhet të vërtetohet se kush i bëri këto sulme terroriste, kush i organizoi, kush qëndron prapa tyre dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë. Sa i përket përgjegjësisë, mosndëshkueshmërisë, qëndrimi i BE-së është i qartë. Të gjithë përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë dhe këtu nuk ka asnjë dilemë”, ka thënë ai.

Stano theksoi se për punën në terren është i informuar edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell.

“Edhe përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell, po ashtu ka qenë në kontakt, edhe me liderët në Kosovë dhe Serbi, por edhe me vendet anëtare. Vendet anëtare janë duke e analizuar situatën. Do të ketë takim sot pasdite edhe në Bruksel nga përfaqësuesit e vendeve anëtare ku do të diskutohet për hapat e nevojshëm”, ka thënë Stano.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë