Sociale

BE i ndalon hyrjen edhe Serbisë dhe Malit të Zi

Bashkimi Europian ka vendosur të heqë Serbinë dhe Malin e Zi nga lista e saj e vendeve të sigurta drejt të cilave lejohet udhëtimi, edhe pse ishin të vetmet vende nga Ballkani Perendimor të cilave BE u hapi kufijtë.

Zyrtarët e BE-së thanë për Reuters se Brukseli nuk diskutoi as përfshirjen në këtë listë të Shteteve të Bashkuara duke pasur parasysh rritjen e saj të rasteve të koronavirusit.

Diplomatët e BE miratuan një propozim nga Gjermania, e cila tani duke mbajtur presidencën e rradhës të BE, për të përjashtuar Serbinë dhe Malin e Zi jo-BE për shkak të përhapjes së infeksionit në dy vendet ballkanike, thanë zyrtarët. Në Serbi ka pasur protesta antiqeveritare, fillimisht të nxitura nga njoftimi i rivendosjes së karantinës në Beograd, për shkak të rritjes së rasteve të reja.

Lista e përditësuar, e cila do të publikohet në orët, ose ditët e ardhshme, është vetëm një rekomandim dhe jo të gjitha 27 vendet anëtare të BE-së po zbatojnë dispozitat e tij.

Shtetet e Ballkanit Perëndimor vazhdojnë të mbetet jashtë listës së vendeve për të cilat ishte rekomanduar të hiqen kufizimet për udhëtim të qytetarëve të tyre në vendet e Bashkimit Europian.

Kjo listë, së pari, ishte përpiluar para dy javësh, bashkë me udhëzimet dhe rekomandimet e masave që duhet të ndërmarrin vendet e BE-së gjatë heqjes graduale të kufizimeve në kufitë e jashtëm. Në atë kohë Mali i Zi dhe Serbia ishin vendosur në këtë listë sepse numri i të infektuarve në këto shtete, në atë kohë, ishte më i vogël sesa në vendet tjera dhe i përafërt me mesataren e vendeve të BE-së. Vendet tjera të rajonit, Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Bosnje e Hercegovina, as atëherë nuk ishin përfshirë në listë, sepse numri i të infektuarve ishte më i lartë.

“Kemi vendosur që të heqim nga lista Malin e Zi dhe Serbinë sepse atje po ashtu ka rritje dramatike në numrit të të infektuarve. Kjo ka ngritur shqetësime në shumë vende të Bashkimit Europian”, ka thënë një diplomat evropian.

Pas përjashtimit të Serbisë dhe Malit të Zi, 13 vende mbeten në listën e BE: Algjeria, Australia, Kanada, Kina, Gjeorgjia, Japonia, Maroku, Zelanda e Re, Ruanda, Koreja e Jugut, Tajlanda, Tunizia dhe Uruguaji.

Pavarësisht se Kina është në listë, udhëtimi i qytetarëve kinezë do të lejohet vetëm nëse autoritetet kineze lejojnë gjithashtu hyrjen e vizitorëve të BE. Kërkesa e reciprocitetit nuk zbatohet në rastin e vendeve të tjera të listuara.

"Kina nuk ka ndërmend të hapë kufijtë e saj për BE-në" tha një diplomat i BE-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë