Ekonomi

BB: Pandemia mund të shtyjë drejt varfërisë ekstreme 60 mln njerëz

Pandemia e koronavirusit mund të shtyjë rreth 60 milionë njerëz në varfëri ekstreme, është shprehur Banka Botërore.

Paralajmërimi sugjeron një pesimizëm të thellë midis ekonomistëve mbi shkallën dhe zgjatjen e rënies ekonomike mbi atë se çfarë banka e përshkruan një krizë të paprecedentë.

Banka Botërore e cila i mundëson kredi e grante qeverive të vendeve të varfra, parashikoi një muaj më parë se ky vit do të përbëntë hap historik mbrapa përsa i përket pabarazisë, me pandeminë e cila me shumë mundësi do të shkaktojë rritjen e parë në varfërinë botërore që prej 1998-ës.

Ajo është shprehur në një postim të faqes së saj zyrtare më 20 prill se vlerësimi më optimist do të ishte që 49 milionë njerëz të shtyheshin drejt varfërisë ekstreme, të cilën banka e përkufizon jetesë nën 1.9 dollarë në ditë.

Presidenti i Bankës Botërore David Malpass Foto: World Bank / Simone D. McCourtie

Presidenti i Bankës Botërore David Malpass është shprehur për shtypin se kjo perspektivë kaq pesimiste ka rrjedhur si “rezultat i mbylljes së shumë aktiviteteve ekonomike e fshirjes së progresit më të fundit të bërë drejt uljes së varfërisë”.

Një rritje e fundit e rasteve të reja me koronavirus në disa vende po shtyn Bankën Botërore që të shpërndajë atë çka ajo e konsideron të jetë “kundërpërgjigja më e madhe dhe më e shpejtë ndaj një krize”. Institucioni shprehet se ndihmat e saj të emergjencës kanë mbërritur në rreth 100 vende me ekonomi në zhvillim, të cilat janë shtëpia e 70% të popullsisë botërore.

Banka Botërore synon të ndihmojë komunitetet vulnerable duke i’u dhënë atyre grante dhe kredi për individë, biznese si dhe për reduktimin e pagesave të borxheve për disa për vendet më të varfëra të botës. Gjer tani ajo është zotuar të shpenzojë të paktën 160 miliardë dollarë në luftën kundër virusit.

Disa prej vendeve më të varfëra të botës po nisin t’i ndjejnë pasojat e shkaktuara nga covid-19

Punonjësit emigrantë anembanë botës po nisin t’i humbasin vendet e tyre të punës teksa pandemia ka ndaluar punët e ndryshme në disa industri. Si rezultat Banka Botërore përllogarit që remitancat botërore të bien me rrreth 20% apo ndryshe me 100 miliardë dollarë në vit.

Me dhjetëra milionë njerëz në Afrikë mund të varfërohen si rezultat i krizës, kanë paralajmëruar drejtuesit e organizatave jo fitmprurëse për të drejtat njerëzore të mërkurën.

“Ne nuk mund ta përballojmë të qëndrojmë pa bërë gjë dhe të shpresojmë që njëra prej sëmundjeve më virale e më vdekjeprurëse të pllakoset në Afrikë, tek territori i vendeve më të varfëra të botës, të cilat nuk janë në gjendje për ta përballuar këtë lloj pandemie”, janë shprehur Komisioneri i Kombeve të Bashkura për të Drejtat Njerëzore Michelle Bachelet dhe drejtuesi i Komisionit Afrikan për të Drejtat Njerëzore Solomon Dersso në një deklaratë të përbashkët.

Në këtë foto të realizuar të Premten, 9 maj 2014 gra dhe fëmijë presin të mjekohen në një spital të drejtuar nga Medecins Sans Frontieres (Mjekë pa Kufij) në Leer, në Unity State, Sudani i Jugut. (Foto AP / Josphat Kasire)

Banka Botërore është shprehur muajin e kaluar se pret që njerëzit në Afrikën sub-sahariane, të Nigerisë dhe Republikës Demokratike të Kongos të vuajnë më së shumti. Aktualisht 39 prej 100 shteteve që sipas Bankës Botërore pritet t’a ndiejnë më së shumti impaktin e krizës së shkaktuar nga koronavirusi gjenden në zonën sub-sahariane afrikane dhe 23 milionë njerëz të këtij rajoni parashikohet që të shkojnë drejt një varfërie ekstreme.

Azia Jugore është një rajon tjetër që pritet të vuajë shumë nga kjo krizë. Ekonomistët e Bankës Botërore janë shprehur muajin e kaluar se India një prej vendeve më të populluara të botës pritet gjithashtu që të shohë një ndryshim shumë të madhe në numrin e njerëzve të varfër, me rreth 12 milionë njerëz të prekur.

“Janë dy faktorë kryesorë që ndikojnë në vendet ku virusi ka goditur më fuqishëm”, sipas analistëve të bankës në një postim të sajtit të tyre. “Impakti i virusit në aktivitetin ekonomik dhe ...numri i njerëzve që jetojnë afër vijës ndërkombëtare të varfërisë”.

Burimi CNN, përshtati në shqip nga Gazeta “Si”

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë