Ekonomi

BB: Ikja e trurit, të forcohet arsimi dhe sektori privat

Raporti i Bankës Botërore mbi zhvillimet e fundit ekonomike, (edicioni i Vjeshtës) për Rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore vlerëson se rritja ekonomike në rajon për 2019 do të jetë 1.8% dhe në vendet e Ballkanit Perëndimor 3,2%.

Shqetësim mbetet migrimi dhe ikja e trurit.

Ngadalësimi i rritjes rajonale pasqyron trendet ulëse edhe në rrafsh global dhe nënvizon nevojën për të nxitur produktivitetin dhe rritur investimet.

Raporti ka në fokus migrimin dhe largimin e trurit nga vendet e rajonit.

Përqindja e imigrantëve në Europë është rritur vrullshëm gjatë katër dekadave të fundit, thotë raporti, ku një nga çdo tre imigrantë në botë tashmë shkon në Europë.

Migrimi ngjall shqetësime edhe në lidhje me “largimin e trurit” nga vendet e origjinës, duke qenë se në përgjithësi personat me nivel më të lartë arsimor janë ata që emigrojnë më shpesh në këtë rajon.

Personat me arsim të lartë përbëjnë 55% të numrit gjithsej të emigrantëve nga Bosnja dhe Hercegovina, më shumë se 40% të emigrantëve nga Armenia dhe Letonia dhe afro 40% të emigrantëve nga Shqipëria, Moldavia, Maqedonia e Veriut, Republika Kirkize, Kazakistani, Rumania dhe Taxhikistani.

Përmirësimi i qeverisjes dhe fuqizimi i institucioneve në vendet e origjinës mund t’u japin zgjidhje shkaqeve që qëndrojnë në rrënjë të emigrimit të vazhdueshëm.

BB sugjeron në raportin e saj se nxitja e sektorit privat dhe fuqizimi i krijimit të vendeve të reja të punës, investimi në arsimin e lartë dhe rritja e mundësive për gratë në ekonomi janë ndër politikat afatgjata që do ndikonin në mbajtjen e fuqisë së aftësuar punëtore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë