Para

BB: Edhe pse pagat rriten, produktiviteti në Shqipëri mbetet negativ prej 2015-s

Nga Gazeta 'SI' - Rritja e pagave në Shqipëri nuk është shoqëruar me rritje të produktivitetit, thotë Banka Botërore.

Sipas raportit të pranverës për vendet e Ballkanit Perëndimor, ndonëse në vend u rritën pagat ndikuar nga një reformë qeveritare dhe mungesa e fuqisë punëtore, produktiviteti mbetet negativ që prej 2015-s.

Fenomeni dëshmohet në të gjitha vendet e BP, por është më i spikatur në Shqipëri, ku për 2023-shin pagat patën rritje dyshifrore, produktiviteti është në kahun negativ.

Kjo shpjegon raporti i BB, ka ndodhur për shkak të rendimentit të ulët në sektorin publik. Nga ana tjetër, reformat e pagave, forca e administratës dhe mungesa e punonjësve kanë thelluar hendekun midis rritjes së pagës dhe produktivitetit.

Pagat reale të vendeve të Ballkanit Perëndimor u rritën gjatë 2023-shit, mesatarisht me 8.4%. Kjo sipas Bankës Botërore ndodhi për shkak se shumë vende zgjodhën të rrisnin pagat në sektorin shtetëror dhe për shkak të mungesës së punonjësve në sektorin privat.

Emigracioni dhe plakja e popullsisë vazhdon të shtrembërojë tregun e punës në Ballkanin Perëndimor, thekson Banka.

Shqipëria raportoi rritjen më të lartë të të punësuarve gjatë 2023-shit, duke arritur në nivelin e 57.2%, më e larta në BP. Kosova kishtë normën më të ulët të punësimit, 35.4%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë