Holandezët e PSV-së janë jashtë Championsit. Skuadra e njohur europiane është eliminuar nga Bazeli i Xhakës, edhe pse rezultati i përgjithshëm është 4-4. Në “St. Jakob-Park” Bazeli fitoi 2-1, ndërsa ndeshja e parë në Holandë kishte përfunduar 3-2, çka u ka dhënë të drejtë zviceranëve të kalojnë më tej, pasi kanë shënuar më shumë gola në fushë kundërshtare.
Ironi e fatit, sepse golin vendimtar për Bazelin e shënoi një holandez, sulmuesi Riki van Volfsuinkel. Më parë zviceranët kishin kaluar në avantazh me Komert, kurse Bruma realizoi golin e barazimit për Bazelin. Mesfushori i Kombëtares, Taulant Xhaka, luajti 81 minuta në këtë ndeshje. Ai u ndëshkua me karton të verdhë dhe u zëvendësua, por interesant është fakti se ai po luan në rolin e mbrojtësit të majtë së fundi. Një rol që mund ta bëjë edhe me kuqezinjtë, duke qenë se në këtë pozicion, që pas largimit të Agollit, nuk ka pasur një lojtar fiks deri tani, edhe pse janë provuar shumë. Më parë Xhaka ka bërë edhe mbrojtësin e qendrës, apo atë të krahut të djathtë, ndërsa tani është bërë “sallaks” nga trajneri Koler.
Për skuadra e tjera të mëdha që marrin pjesë në kualifikueset e Championsit ka qenë gjithçka e lehtë. Selltiku i Presidentit Meta mundi 0-2 në transfertë estonezët e Kalju, pas 5-0 në Skoci. Dinamo e Zagrebit kaloi pa probleme modestët gjeorgjianë të Saburtalo, ndërsa Olimpiakosi shkatërroi 4-0 çekët e Plzenit. Sot në mbrëmje luhen 5 ndeshjet e radhës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.