Politike

Bashës i bashkohen vetëm gjysma e kryesisë: Kuvendi Kombëtar i PD më 2 shtator. Ndryshojmë statutin! (Grupi i Bardhit bojkoton takimin)

Kryetarit të ri të Partisë Demokratike Lulzim Basha iu bashkuan sot vetëm gati gjysma e kryesisë (13 nga 27 anëtarë, në mbledhjen e thirrur prej tij këtë të diel. Në mbledhje ishin vetëm të besuarit e tij, ndërsa grupi i Bardhit, me gati 10 deputetë bojkotoi.

Temë e diskutimit ka qenë nisja e strukturimit të ri të ekipit ‘Basha 4’, teksa në krah të tij kanë qëndruar Enkelejd Alibeaj dhe Indrit Sefa. Në mbledhje morën pjesë Fitim Zekthi, Taulanda Jupi, Arbi Agalliu, Gazmend Koduzi, Mirela Karabina, Oriola Pampuri, Gentian Gaba, Kreshnik Çollaku, Flutura Açka. Merita Bakiu, Xhemal Gjunkshi, Indrit Sefa dhe Enkelejd Alibeajt.

Në këtë mbledhje kryesie u vendos që më 2 shtator Partia Demokratike e drejtuar nga Lulzim Basha të mbledhë Kuvendin Kombëtar.

Partia Demokratike drejtuar nga Lulzim Basha bën me dije se në shtator do të kërkohen dy hetime parlamentare në lidhje me fondet e IPARD si dhe për personat që kanë përfituar statusin investitor strategjik.

“Mbledhja e parë e Kryesisë së Partisë Demokratike nën drejtimin e Lulzim Bashës, përveç mbledhjes së Kuvendit Kombëtar në 2 shtator, ka vendosur si prioritet luftën ndaj korrupsionit në nivel qendror dhe lokal. Shtatori do të sjellë edhe 2 nisma kundër korrupsionit nga Partia Demokratike: Kërkesën për hetim parlamentar të fondeve të IPARD, ku paratë e taksapaguesve europianë u devijuan për projekte dhe afera korruptive. Ridërgim i kërkesës për hetimin parlamentar të gjithë atyre që kanë përfituar statusin investitor strategjik, për të parë se çfarë përfitimesh strategjike kanë sjellë për zhvillimin e vendit, përveç pasurimit të pushtetarëve.’- njofton zyra e shtypit në PD.

Po sot Basha mblodhi edhe Kolegjin e Kryetarëve, të cilët i falënderoi që mbështetën rikthimin e tij dhe i shtruan rrugën e zgjedhjeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë