Politike

Basha zbret në Durrës, PD nuk njeh zgjedhjet, do futet në Kuvend, s’ka dorëheqje nga partia dhe jo pakt me Ramën

Në takimin e tij të parë në bazë që pas zgjedhjeve të 25 Prillit, kryetari i PD-së, Lulzim Basha tha të vetmen deklaratë të qartë se nuk do t’i njohë këto zgjedhje. Se çfarë do të thotë kjo, Basha nuk foli qartë.

Foli me nënkuptime edhe për qëndrimet e tjera në raport me Kuvendin, debatin brenda PD-së apo bashkëpunimin me Ramën. Për Kuvendin, Basha la të kuptojë se PD-ja do të futet në Kuvend, kritikëve u tha me nënkuptime se ai nuk do të dorëhiqet e në të njëjtën mënyrë paralajmëroi se nuk ka bashkëpunim me Ramën. “Për Partinë Demokratike, opsioni i bashkëpunimit me krimin është dhe do të jetë zero...”, tha ai

“...Është e qartë si ky diell që shndrin që ky rezultat nuk do të njihet kurrë dhe për kë mendon se 25 prilli është mbarimi i betejës tonë për t’u siguruar durrsakëve dhe të gjithë shqiptarëve të ardhmen që meritojnë në vend të masakrës mbi demokracinë, mbi familjet e tyre, mbi bizneset e tyre, mbi të  ardhëm e tyre e ka gabim. Beteja jonë vazhdon dhe do të vazhdoje deri në përmbysjen e regjimit Rama-Doshi...”, tha Basha para strukturave të PD-së në Durrës.

Kryetari i demokratëve nënvizoi se 25 Prilli ishte masakër elektorale dhe se beteja e opozitës do të zhfrytëzojë çdo hapësirë duke nënkuptuar kështu edhe Kuvendin e ardhshëm.

“...Ne do të dokumentojmë deri në fund provat e masakrës elektorale dhe do ta vazhdojmë betejën tonë në çdo hapësirë me çdo mundësi, me të gjitha forcat dhe mjetet tona. Një gjë është e sigurt. Fundi i kësaj beteje është një dhe vetëm një, përmbysja e këtij regjimi dhe vazhdimi i betejës tonë për ta çuar Shqipërinë dhe shqiptarët drejt së ardhmes që meritojnë.

Shqipëria nuk është e regjimit Rama-Doshi, kjo është Shqipëria jonë, kjo është Shqipëria juaj e  qindra mijëra shqiptarëve që na ndoqën dhe na besuan me votën  e tyre...”

Basha tha se drejtësia e re është në provë. “Prej më shumë se një viti i kemi vënë në dispozicion institucioneve ndërkombëtare, institucioneve të drejtësisë së re, fakte konkrete mbi të gjithë dhunimet dhe krimet zgjedhore të Partisë Socialistë, të Edi Ramës, të kupolës drejtuese dhe faktorëve të krimit të organizuar.

Mbi 180 kallëzime të tilla janë depozituar në SPAK dhe prokuroritë anë e mbanë vendit.

Kjo është një sfidë për drejtësinë e re, kjo është një sfidë për institucionet zgjedhore ku dje janë depozituar kërkesat për pavlefshmërinë në 9 qarqe dhe rivotimin në 9 qarqe...”, vërejti ai.

Basha kishte një përgjigje edhe për kritiket ndaj tij, duke lënë të kuptohet se ai nuk do të dorëhiqet.

“...Mendimet, idetë konstruktive, kritikat konstruktive vetëm na ndihmojnë dhe ne duhet t’i mirëpresim.

Megjithatë, gjëja më e rëndësishme tani është të vazhdojmë betejën. Të vazhdojmë betejën, të cilën me 25 prill, Edi Rama, Rrajat Cyrbet, Ndraxhët, Doshët, Rakipët me shokë, menduan se e mbyllën.

Jo! Me 25 prill ata mbyllën vetëm një mundësi për ndryshimin që do të sillte vota plebishitare e shqiptarëve, të cilët duan një të ardhme më të mirë, por beteja do të vazhdojë...”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë