Politike

Basha: Të sëmurë me simptoma nuk po testohen

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha ka kërkuar nga qeveria që të ndryshojë strategjinë e masave kundër Covid-19, duke filluar pikësëpari me rritjen e pajisjeve të testimit.

“Duhet të kuptojmë se testimi është i lidhur shumë ngushtë me frenimin e infektimit. Ne mund ta frenojmë infektimin jo thjesht duke qëndruar në shtëpi, jo thjesht duke qenë të izoluar, por duke evidentuar sa më mirë e sa më shpejt të infektuarit, duke marrë masa për t’i izoluar ata apo për t’i kuruar sipas nevojave. Sa më pak të testosh, aq më pak do të dish.

Pra testimi ka të bëjë drejtpërdrejtë me aftësinë tonë për të ndërprerë zinxhirin e infektimit. Nëse testojmë mund t’i bëjmë qejfin vetes që kemi më pak të infektuar, që kemi më pak të shtruar, por e vërteta është krejt ndryshe dhe për fat të keq shumica e specialistëve, ekspertëve, kanë tashmë një konsensus, bien dakord që kjo që shohim në shifrat zyrtare në fakt është maja e ajsbergut…”, tha Basha në “ABC Neës” .

Basha nuk përmendi emër, por tha se vetëm në një bashki janë dërguar katër tampon.

“Dhe shikoni se çfarë ndodhi. Në Shkodër u testuan 15 persona dhe dolën 12 të infektuar. Kjo duhet të ishte kambanë alarmi. Prandaj urgjentisht duhet ndryshuar menjëherë përqasja e deritanishme, e cila mund të na japë një iluzion që kemi një numër më të vogël të infektuarish, por është vetëm një iluzion. Dua të them dhe këtë: e gjithë kjo sakrificë do të shkojë kot dhe gjithë kjo mbyllje në shtëpi, karantinimi, izolimi, distancimi social do të shkojë kot, në qoftë se nuk bëjmë testime massive”, - shtoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë