Politike

Basha: Të anulohen koncesionet e tenderat! Betoni s’është prioritet sot

Partia Demokratike këmbëngul në kërkesën për anulimin e koncesioneve me vlerë 120 milionë euro, që Lulzim Basha thotë se paratë do t’i përfitojnë 10 oligarkë.

Kryedemokrati përllogarit se me anulimin e këtyre koncesioneve, Qeveria do të jetë në gjendje që të bëjë tre herë më shumë nga sa i ofron me paketën e ndihmës financiare aktuale sipërmarrjes dhe qytetarëve në nevojë.

“Shqipëria ka mundësinë të bëjë 3 herë më shumë sesa ka bërë deri tani, në kuptimin e fondeve buxhetore, dhe për këtë ne kemi treguar fare qartë se ku janë paratë. 120 milion euro të cilat janë të buxhetuara këtë vit për 12 koncesione për 10 oligarkë, siç i njeh tashmë populli, duhet të anulohen menjëherë. Afro 40 milion euro në shpenzime operative duhet të ridestinohen menjëherë. Afro 100 milion euro në investime publike, mund të ridestinohen menjëherë”, deklaroi Basha.

Megjithatë, kreu i opozitës thotë se Qeverisë jo vetëm që i mungon vullneti për të anuluar këto koncesione, por vazhdon që të japë miliona euro tendera të panevojshëm për situatën në të cilën ndodhet vendi.

“Në vend të kësaj shohim që vetëm në 10 ditët e fundit, kanë shkuar afro 30 milion euro për beton. Betoni nuk është prioritet sot. Sot prioritet është shëndetësia, siguria e jetës së qytetarëve, janë shtresat në nevojë. Është koha për të frenuar çdo shpenzim korruptiv dhe abuziv. Siç e thashë, 30 milionë euro për beton do të mjaftonin 2 muaj për 70 mijë punonjësit e fasonerisë me pagë minimale”, deklaron kreu i PD.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë