Politike

Basha: S’ka ende vaksinë për Covid-19, por ka për të luftuar Ramavirusin

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i vijoi takimet me banorët e zonës së Kënetës në Durrës ku tha se pas dy muajve të mbyllur për shkak të koronavirusit, të gjithë shqiptarët e kanë kuptuar se rreziku më i madh për shëndetin dhe ekonominë e tyre është RAMAVIRUSI.

“Takova qindra qytetarë të rrënuar nga pandemia ekonomike e qeverisë. Si kudo në Shqipëri, edhe këtu RAMAVIRUSI ka shkatërruar ekonominë dhe vendet e punës, duke shtuar hallet për këta banorë të goditur rëndë edhe nga tërmeti i 26 nëntorit”, tha Basha.

RAMAVIRUSI është pandemia që torturon prej 7 vjetësh shqiptarët, tha lideri i opozitës.

“Asnjë popull nuk ka paguar rritje taksash këto 7 vite si shqiptarët. Asnjë popull nuk ka paguar rritje të faturave të energjisë, rritje të çmimit të karburantit si shqiptarët. Kur erdhi dita që njerëzit kishin më shumë nevojë për përkrahje nga buxheti, Edi Rama i braktisi”, theksoi Basha.

Sipas tij, që ekonomia të rimëkëmbet pas shkatërrimit nga RAMAVIRUSI, që të ulet papunësia dhe shqiptarët të jetojnë në normalitet duhet urgjentisht një qeveri që mendon e kujdeset për njerëzit. “Unë dhe Partia Demokratike kemi vullnetin, vizionin, përvojën dhe dëshirën për t'i shërbyer qytetarëve. Vërtet nuk ka ende vaksinë për koronavirusin, por ka vaksinë për RAMAVIRUSIN dhe ky është bashkimi ynë për të sjellë ndryshimin që pret çdo shqiptar: një qeveri normale për t’i garantuar qytetarëve një jetë normale dhe me dinjitet”, tha Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë