Kreu i PD, Lulzim Basha i ka kërkuar qeverisë të marrë masa të menjëhershme, në mënyrë që biznesi të përballojë situatën e krijuar me koronavirusin. Në një videomesazh, Basha tha se shtimi i rasteve me COVID 19 e bën të detyrueshme mbylljen e menjëhershme për të paktën 4 javë të fasonëve, call centers dhe fabrikave me shumë punonjës në ambiente të mbyllura.
"Shtimi i rasteve me COVID 19 e bën të detyrueshme marrjen e menjehershme të masave për mbylljen e call centers, fasonëve dhe fabrikave të tjera, që kanë një numër të madh punonjësish në sipërfaqe të vogla dhe të mbylura. Në sektorin fason punojnë sipas shoqatës së fasonëve 70 mijë persona. 90% e tyre janë vajza dhe gra, shpesh dhe kryefamiljare dhe shumica e tyre paguhen me pagë minimale. Ambjentet e tyre të punës kanë, si rregull, mbi 100 punonjës. Prandaj ato janë potencialisht burim i përhapjes së shpejtë të virusit, duke e shpërndarë atë dhe në familjet e të punësuarve dhe, veçanërisht, tek të moshuarit apo fëmijët", shprehet Basha.
Sipas tij, t'u kërkosh këtyre qytetarëve të dalin në punë dhe të punojnë në ambiente të mbyllura dhe në një kohë t'u thuash qytetarëve të mos dalin për të blerë pazar, është një standard i dyfishtë, është me rrezikshmëri të lartë dhe mund të zhvlerësojë çdo sakrificë të kërkuar deri tani nga qytetarët.
"Nuk duhet lejuar asnjë ditë vonesë. Nuk duhet pranuar ta çojmë në kolaps sistemin tonë shëndetësor. Prandaj duhen marrë masa me efekt të menjëhershëm. Thirrja ime e përsëritur është të gjenden rrugët dhe mënyrat e përshtatshme për qeverinë dhe sipërmarrjen për t’i çaktivizuar këto bomba me sahat për të paktën 4 javët në vazhdim", theskoi Basha.
Ai propozoi dy pika për qeverinë se: Për të gjitha bizneset që janë të detyruar t’i lënë punonjësit në shtëpi dhe që janë në pamundësi pagese, Qeveria duhet të përballojë pagën minimale dhe e dyta për të gjitha ato biznese që i lënë punonjësit në shtëpi dhe u paguajnë pagën, kjo kosto të llogaritet si shpenzim i zbritshëm në masën 200% .
"Kosto maksimale e kësaj mase është 15 milion euro në muaj. Por kostoja e mosveprimit, është e pallogaritshme në jetë dhe shëndet njerëzish. Kostoja financiare e mosveprimit është dhjetëra herë më e lartë për përballimin e pasojave shëndetësore të mosmbylljes së fasonerive, si dhe në efektin zinxhir që kjo do të ketë edhe për ekonominë edhe buxhetin", theksoi kryedemokrati.
Basha hodhi edhe propozime të tjera si alternative mbështetjeje për biznesit duke kërkuar: Shtyrje te pagesave të detyrimeve; Rishikimi i qirave shtetërore, i çmimit të energjisë, të karburanteve; Rimbursimi i menjëhershëm i TVSH.
"Qeveria të gjejë gjuhën me biznesin për të gjetur zgjidhjen më të mirë. Ajo që nuk pret, ajo që duhet bërë menjëherë është mbyllja e fasonerive, call centers dhe fabrikave te tjera, që janë burim potencial i përhapjes së shpejtë të COVID -9. Kjo duhet bërë duke garantuar pagën minimale për punonjësit, pa të cilën do të ishtë e pamundur të përballonin jetësën. Në kushtet e krizës që ka përfshirë me kohë këtë sektor duhen ndërmarrë masa të shpejta edhe që sipërmarrjet të mos shkojnë drejt falimentimit dhe të lënë mijëra vetë pa punë", theksoi Basha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.