Politike

Basha premton: 0.5% e xhiros vjetore për biznesin e vogël dhe 9% për biznesin e madh

Një vit moratorium për inspektoriatet e kontrollit ndaj biznesit, vetëm

1 taksë, 0.5% e xhiros vjetore për  biznesin e vogël deri në 140 milionë lekë, dhe taksa e sheshtë 9% për biznesin e madh. Ky është premtimi i Lulzim Bashës gjatë takimeve të zhvilluara me biznesin e vogël në Korçë.

 “…Dua të theksoj edhe njëherë masat stabilizuese urgjente që ne do të ndërmarrim ditën tonë të parë në pushtet.

Së pari, do të çlirojmë biznesin nga ankthi, nga klima e tmerrshme e biznesit, në të cilën është zhvendosur për shkak të terrorit qeveritar dhe të administrates, duke futur në karantinë inspektoriatet. Një vit karantinë për inspektoriatet, në mënyrë që këta njerëz të mos përballen nga mëngjesi deri në darkë, sa ngrini qenat-ulni qepenat, me inspektorë, me tatimorë, me lloj-lloj harbutësh, që vijnë sa për xhepat e tyre edhe për xhepat e pushtetarëve”, nënvizoi Basha.

Për biznesin e vogël, Basha premtoi vetëm një taksë.

”Çdo taksë tjetër lokale apo qëndrore çdo tatim tjetër, çdo lloj tjetër formë tarifimi do të zhduket. Do të ketë vetëm një taksë dhe asnjë tarifë dhe asnjë taksë tjetër. Së dyti, për biznesin e madh ne do të vendosim taksën e sheshtë 9% e cila do të synojë që më shumë para të mbeten për investime për hapje vende pune të cilat natyrisht, për çdo vend të ri pune, do të thotë më shumë konsum. Dhe më shumë konsum, do të thotë edhe më shumë mundësi, edhe më shumë të ardhura në xhepat e njerëzve edhe më shumë xhiro për sipërmarrjen, do të thotë nisje e një zinxhiri pozitiv për ekonominë shqiptare”, tha Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë