Politike

Basha në Velipojë: Do heqim taksën e Rrugës së Kombit

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, premtoi gjatë një takimi me sipërmarrës të turizmit në Velipojë se kur PD të vijë në pushtet do të heqë taksën 5 uro të Rrugës së Kombit.   

“Pushuesit nga Kosova nuk do të rëndohen më me tarifën prej 5 eurosh. Ne do ta heqim taksën e Rrugës së Kombit që na ndan me vëllezërit tanë.

Ne do t'i heqim bizneseve, bandat e taksidarëve nga qafa si dhe do të anulojmë "taksën Rama" për karburantin.

Vëmendja jonë do të përqendrohet te biznesi i vogël, si sipërmarrja që përbën shtyllën kryesore të ekonomisë në vend, duke caktuar vetëm një taksë 0.5% të xhiros vjetore.

Qeveria jonë do të investojë në infrastrukturën rrugore, ujë dhe kanalizime dhe në rrjetin energjitik, në mënyrë që turizmi shqiptar të ketë kushte normale dhe të denja për pushuesit shqiptarë dhe të huaj”, tha Basha pas takimeve të zhvilluara.

Sipas tij, sot po aplikohet një politikë korruptive në favor të një grupi oligarkësh.  

“Tregtarët e zonës më thanë se xhiroja është përgjysmuar dhe shpresat për të nxjerrë shpenzimet e tyre për këtë vit janë fare të pakta.

Kjo situatë kërkon zgjidhje. Dhe që abuzimi, korrupsioni, shkatërrimi i mundit dhe djersës së shqiptarëve për afera korruptive të marrë fund, duhet të ndëshkohen përgjegjësit. Pandëshkueshmëria në këtë vend do të marrë fund”, premtoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë