Politike

Basha: Menaxhimi i pandemisë, dështimi më i madh i Edi Ramës

Lulzim Basha këmbëngul se menaxhimi i krizës ekonomike të shkaktuar si pasojë e pandemisë së Covid-19 është dështimi më i madh i Edi Ramës.

“Fatkeqësisht, këto dështime po u kushtojnë shumë shtrenjtë shqiptarëve dhe ekonomisë së tyre që sot po varfërohen edhe më shumë. Partia Demokratike propozoi masa konkrete mbështetëse për biznesin vendas dhe për të punësuarit e tij, por Rama zgjodhi t’i harxhojë lekët e buxhetit të shtetit për një grusht oligarkësh dhe jo për njerëzit. Ai është sot e keqja më e madhe për vendin”, thotë kreu i PD.

Basha u takua me një përfaqësi të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, ku thotë se prezantoi alternativën e opozitës për rimëkëmbjen e ekonomisë.

“Unë dhe opozita e kemi një plan konkret për rimëkëmbja ekonomike të vendit dhe rritjen e punësimit të shqiptarëve: ky është është prioriteti absolut i programit tonë, ku përveç ndihmës financiare për të kapërcyer krizën ne do të ofrojmë edhe instrumentet dhe financimin e duhur për ekonominë prodhuese, uljen e taksave, luftën ndaj monopoleve dhe klientelizmit, si dhe mbështetjen dhe financimin e projekteve madhore ekonomike që do krijojnë punësim dhe mirëqënie për shqiptarët”, vijon kreu i opozitës.

Basha thotë se në këtë takim, përfaqësuesit e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë ngritën shqetësimin se paketat financiare 1 dhe 2 të Qeverisë kanë qenë joefektive dhe me ndikim të papërfillshëm në zbutjen e krizës për biznesin.

“Masa e financimit është shumë e ulët, ndërsa pengesat burokratike i kanë bërë ato të pazbatueshme. Si rrjedhiojë, sot në kohë emergjence financimi i ekonomisë është inekzistent, ndërsa sektorë si biznesi prodhues, turizmi, bujqësia dhe transporti mbeten ende pa asnjë mbështetje”, deklaron Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë