Politike

Basha me fasonët në Krujë: Mos prisni gjë, lekët tuaja Rama i çon për tendera

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka vizituar disa fasoneri në Krujë për të parë nga afër gjendjen e tyre gjatë pandemisë dhe ka dëgjuar ankesat e tyre.

Pronarët janë shprehur se kanë shkurtuar vendet e punës dhe se nuk janë marrë pagat e luftës.

“Kam patur rreth 60 punonjës, kam hequr 32 nga puna, të gjitha gra dhe vetëm 11 prej tyre kanë marrë pagën e luftës. Vazhdoj të aplikoj, por nuk kam përgjigje, nuk e di a do të dëgjohet zëri”, është shprehur pronari i një fasonerie.  

Ndërsa kreu i opozitës është shprehur se lekët janë çuar për tendera dhe se nuk duhet të kenë shpresë te qeveria.

“Nga këta mos prit përgjigje. Nuk kanë as veshë për të dëgjuar, as zemër, as sy për të parë problemet e njerëzve. Sikur të kishin patur pak zemër për t’ju dëgjuar, fasoneria paguan 12 milionë euro taksa, sikur ato para t’jua kishin kthyer për të mbështetur punonjësit, ju nuk do të kishit ardhur në këtë ditë. Ky është momenti i një krize të thellë ekonomike. Kësaj i dilej përpara duke paguar punonjësit, duke rritur konsumin dhe të mos detyroheshe të hiqje njerëz nga puna. Kostoja do të ishte 30 milionë euro në 2 muaj, por ai prish Teatrin Kombëtar, çon 30 mijë euro atje dhe mbyll 70 mijë vende pune. Kjo është kriminale”, theksoi kreu i opozitës.

Ndërkohë, pronari i një fasonerie tjetër shprehu shqetësimin se problemi i zero ndihme nga qeveria i ka efektet e shtrira në kohë. “Problemi ka për të qenë në vazhdim. Po t’i shikosh, dikush që punonte para një jave, sot nuk punon më. Mund të jenë 6-7 ndërmarrje që janë mbyllur 2 ditët e fundit. Paketat nuk ishin fare për ne, pa asnjë ndihmë financiare. Nga 160 vetë vetëm 13 kanë marrë ndihmë. Kam shkurtuar shumë vende pune, më vjen keq, por isha i detyruar. Ishte thikë me dy presa. Na lanë hapur, për të na lënë pa asnjë ndihmë. Vetëm nga marsi i ardhshëm mund të rimëkëmbemi dhe pa një ndihmë financiare është shumë e vështirë”, është shprehur pronari i fasonerisë.

“Arsyeja pse nuk ju kanë mbështetur është se këta nuk kanë ndarë parà për ekonominë. Kanë vazhduar tendera koncesione, PPP, si të ishim në kohë normale. Lekët që duhet të vinin tek ju, i kanë çuar atje. Kjo është arsyeja pse e gjithë ekonomia, e gjithë industria është në vështirësi, në veçanti ju dhe turizmi”, tha Basha.

Shumica e grave dhe vajzave të fasonerive janë ose kryefamiljare, ose personat e vetëm që çojnë të ardhura në familje. Ato i kanë pohuar kreut të opozitës se nuk kanë marrë asnjë mbështetje nga shteti dhe se janë në vështirësi të mëdha.

“Një fjalë kurajo mund t’ju them sot, mos u dorëzoni. E di që e keni të vështirë, do të na keni në krah, do të më keni në krah”, u shpreh Lulzim Basha në bashkëbisedim me gratë dhe vajzat në fasoneri.

Në takimin me përfaqësuesit e shoqatës së fasonëve kreu i opozitës mbështeti kërkesat e tyre për subvencionim të pagës së punonjësve dhe lehtësi fiskale në të ardhmen, si një masë mbrojtëse për këtë industri që punëson rreth 70 mijë gra e vajza në të gjithë vendin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë