Politike

Basha me kryesinë, PD përgatitet për zgjedhje

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, mbledh kryesinë e partisë pas një periudhe të gjatë negociatash me PS-në për reformën zgjedhore.

Temë e diskutimit është reforma zgjedhore, situata politike, dhe përgatitja për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Dy ditë më parë, palët firmosën marrëveshjen për zgjedhoren dhe puna për fillimin e implementimit të saj duhet të fillojë që tani.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’i nënshtrohet procesit të reformimit.

Ngrihet posti i zv.kryetarit të KQZ-së, (I propozuar nga PD) që do të kujdeset për procesin e zbatimit të projektit të identifikimit biometrik të votuesve. Në parim është vendosur që ky proces të shtrihet në gjithë vendin, por fillimisht do të punohet për një shtrirje graduale, sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR.

Partitë politike nuk do të ndryshojnë sistemin zgjedhor për zgjedhjet e ardhshme, ndërsa Partia Socialiste u tërheq nga propozimi për të depolitizuar komisionet e votimit dhe ato të numërimit.

Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve dhe ato të Qendrave të Votimit do të kenë të njëjtën strukturë si në zgjedhjet e shkuara. Pra katër anëtarë të komisioneve të propozuara nga mazhoranca dhe tre nga opozita.

Në kryesinë e PD-së pritet të ndahen edhe detyrat për riorganizimin e strukturave të partisë me qëllim fillimin e përgatitjeve të zgjedhjeve edhe në terren nga ana e PD-së.

Nuk pritet të ketë ndonjë vendim politik nga kjo mbledhje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë