Politike

Basha i përmend burgun, Rama: Mos u nxito!

Edi Rama dhe Lulzim Basha e zhvendosën në rrjetet sociale përplasjen e tyre për ndryshimet kushtetuese të miratuara nga Kuvendi. Këtu, kreu i Partisë Demokratike u tregua më i ashpër se reagimi fillestar pas miratimit të këtyre ndryshimeve.

Basha nënkuptoi se Rama po e çonte vendin drejt një konflikti me hedhjen ne erë të marrëveshjeve të 14 janarit dhe 5 qershorit, por u zotua se opozita do të sigurohet që kjo kosto të përplaset vetëm mbi të dhe jo mbi qytetarët.

“Koston e konfliktit të krijuar me hedhjen në erë të marrëveshjes së 5 Qershorit dhe 14 Janarit, do ta mbash vetëm ti personalisht Edi Rama”, thotë ai.

https://twitter.com/lulzimbasha_al/status/1288834928873013249

Kreu i PD-së madje i tregon edhe burgun Kryeministrit.

“Nëse mendon se me konfliktin e krijuar dhe me prishjen e stabilitetit demokratik të vendit, do të marrësh garanci për kokën tënde dhe të hajdutëve që të rrethojnë, po ta them prerë dhe shkurt: Vendi yt pas zgjedhjeve të reja është në burg, atje ku shkon çdo individ që me dashje kryen një krim kundër vendit dhe qytetarëve të tij”, vijon ai.

Basha e mbyll reagimin duke thënë se për opozitën do të vijojnë të mbeten në plan të parë qytetarët dhe ajo nuk do të bëhet pjesë e lojërave të Edi Ramës dhe krimit, që sipas kreut të PD-së, e drejton atë prej 22 vitesh në politikë.

Ndryshe nga përgjigjia e rezervuar për Ilir Metën në përgjigjen ndaj Lulzim Bashës, Edi Rama shfaqet më i përmbajtur. Ai e cilëson si të nxituar reagimin e kreut të PD-së.

“Lulzim Basha, reagimi yt ndaj ftesës sime për të vijuar punën bashkarisht dhe reflektuar në Ligjin Zgjedhor risitë kushtetuese është shumë i nxituar! Kërcënimet për konflikt e për fatura kostosh personale, tregojnë humbje të busullës! Në emër të shqiptarëve vendos Parlamentit”, thotë ai.

https://twitter.com/ediramaal/status/1288852950375370753

Rama i kërkon Bashës që të mos humbasë me kohë dhe të ulet në tryezë për ndryshimet në Kodin Zgjedhor pas votës në Kuvend për hapjen e listave.

“Le të vazhdojmë punën e nisur. 5 qershorin aty e ke, top në Ligjin Zgjedhor, ku tani duhet të integrojmë edhe 30 korrikun! Ta bëjmë së bashku e mos harro, s'presim dot gjatë!”, shkruan Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë