Politike

Basha hesht, por Meta reagon sërish: Hapni listat ose largohuni!

Propozimi i PS-së që renditja e kandidatëve me lista të hapura të mos jetë alfabetike, por me numër shifror, duke u mundësuar kryetarëve që ta përcaktojnë vetë radhën e kandidatëve në fletën e votimit, dhe vendosja e një “pragu” votash për këdo kandidat tjetër jashtë rreshti, ka sjellë një shqetësim të shtuar nga ana  e Lëvizjes Socialiste për Integrim ku mes saj dhe PD-së vijojnë ende diskutimet se si do të dalin në zgjedhje.

Propozimi i fundit i PS-së që i shkon për shtat edhe PD-së, dhe shfryn agresivitetin e kandidatëve të LSI-së, ka  bërë që dy ditët e fundit LSI-ja (përmes nënkryetarëve të saj), por edhe vetë Presidentit Ilir Meta të shtojnë zërat kundër këtij propozimi.

Ilir Meta ka dy ditë që përcjell në faqen e tij në Facebook kërkesën për lista të hapura “de facto”, ndërsa nga PD-ja qysh të premten është përcjellë vetëm një deklaratë e thatë pas mbledhjes së Këshillit Politik, jo nga Oerd Bylykbashi (që fliste për koalicionet parazgjedhore) por Gazmend Bardhi sipas të cilit “  qëndrimi i PD dhe Opozitës së Bashkuar është i qartë: Listë e hapur 100 %”.

Për këtë propozim nuk ka asnjë reagim qofte edhe politik përmes ndonjë komenti në Facebook nga Lulzim Basha. Nga Meta po.

“Çdo manovër mashtruese që u heq të drejtën qytetarëve të zgjedhin vetë edhe deputetët, siç ju premtua, vetëm me qëllimin për të prishur në mënyrë të njëanshme Marrëveshjen e 5 Qershorit, do të ndëshkohet fort nga të gjithë qytetarët që prej 12 vitesh kërkojnë deputetë e jo kukulla kryetarësh.

Mos kini frikë nga hapja e listave!

Hapni listat ose largohuni”, shkruan Meta në Facebook.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë