Ditën e hënë në qytetin e Durrësit, kombëtarja shqiptare ka nisur grumbullimin në prag të dy ndeshjeve të para të Ligës së Kombeve, me Izraelin dhe Skocinë. Në konferencën e zakonshme për shtyp para medieve kanë dalë sulmuesi Sindrit Guri dhe mesfushori Migjen Basha. Dy futbollistët, njëri prurje e re në ekipin kombëtar dhe tjetri i rikthyer janë shprehur optimist për gjendjen e ekipit në prag të këtyre dy ndeshjeve shumë të rëndësishme. I pari që ka folur, ishte mesfushori Migjen Basha. Futbollisti që gjatë kësaj vere u transferua në kampionatin grek, u shpreh i kënaqur që mbizotëron në grupin e lojtarëve të grumbulluar dhe se tashmë është koha që Shqipëria të reagojë.
“Është nder të rikthehem në kombëtare. Për mua është si hera e parë që rikthehem në kombëtare. Miqësoret nuk duhen marrë shumë parasysh. Duhet të reagojmë pasi në ndeshjet e fundit nuk është kombëtarja që ka qenë. Secili duhet të marrë përgjegjësitë e veta. Ka pasur shumë lojtar të rinj që trajneri ka dashur t’i provojë. Rezultati nuk mendohet kur ke shumë lojtar të rinj. Duhet të gjithë ta kenë ndërgjegjen. Kombëtarja është normale që do ndryshoj.”- u shpreh Migjen Basha.
Ndërsa sulmuesi Sindrit Guri që po shkëlqen në aventurën e tij në Blegjikë, tha se është gati të luaj dhe të jap maksimumin për skuadrën kuqezi. Guri u shpreh se i vjen keq për dëmtimet e Roshit dhe Sadikut dhe që i bën dëm ekipin tonë kombëtar.
“Kam shumë për të dhënë, po mundohem të jap maksimumin në Belgjikë, ndërsa për kombëtaren dihet se motivimi është pa kufi. Më vjen keq për dëmtimin e Roshit dhe Sadikut. Është diçka negative për kombëtaren. Nuk gëzohem, se më krijohen më tepër hapësira. Objektivi është suksesi i kombëtares, pak rëndësi nëse shënoj unë, Migjeni apo dikush tjetër.”- tha Guri.
Më tej sulmuesi shkodran tha se të gjithë duhet të japin maksimumin për të arritur objektivin e caktuar për të kapur finalet e kampionatit europian 2020.
“Na presin dy ndeshje shumë të rëndësishme, mjaft domethënëse. Duhet të japim maksimumin, duke mos e mbajtur kokën pas. Ftoj tifozët të na mbështesin, sepse ata janë forca jonë. Le t’i marrim me radhë ndeshjet, të mos shohim shumë larg, nga Europiani.”- u shpreh sulmuesi i Ostende.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.