Politike

Basha: Ekonomia buzë greminës. Rama s’e fsheh dot më

Lulzim Basha thotë se shifrat i japin të drejtë opozitës që akuzon Qeverinë se po çon ekonominë e vendit drejt greminës. Kreu i PD-së publikoi disa të dhëna, sipas të cilave investimet e huaja në gjashtëmujorin e parë të këtij viti kanë rënë me rreth 100 mln euro në krahasim me të njëjtën periudhë të 2019-ës.

“Çuarja e ekonomisë shqiptare buzë greminës së falimentit, është një nga shqetësimet kryesore të pasqyruara në raportin e përvitshëm të DASH, që rendit si arsye korrupsionin e qeverisë shqiptare, shkatërrimin e tregut dhe konkurrueshmërisë nga PPP-të, ligjet abuzive në lidhje me pronat dhe gjithashtu konçesionet korruptive”, thotë kreu i PD.

Basha thotë se asgjë nuk e fsheh dot më rritjen e papunësisë dhe varfërisë për shkak të ekonomisë së rrënuar dhe largimit masiv të shqiptarëve dhe paralajmëron përkeqësim të situatës me largimin e dy investitorëve strategjikë, si TAP dhe Devolli që janë në përfundim të punimeve të tyre. Sipas Bashës, Qeveria “Rama” në 7 vite ka dështuar në tërheqjen e investitorëve të huaj seriozë.

“Çdo raport ndërkombëtar flet qartas për mungesën e klimës pozitive për biznesin dhe investimet e huaja. Dy investitorët e vetëm strategjike, TAP dhe Devolli, po e perfundojnë punën e tyre të nisur që në kohën e qeverisjes së PD. Në 7 vite, në Shqipëri ka mbizotëruar klima e largimit të investitorëve strategjikë dhe seriozë. Në vend të tyre lulëzuan kompanitë offshore, PPP-të dhe koncensionet, që veç korrupsionit në çdo hallkë, nuk ofruan asnjë shërbim cilësor apo përmirësim të jetës së qytetarëve”, vijon deklarata e kreut të PD-së.

Basha premton se do të anulojë koncesionet korruptive dhe përmes taksës së sheshtë 9 për qind do të bëjë Shqipërinë sërish tërheqëse për investitorët e huaj.

“Një nga angazhimet e mia parësore, është që t'i kthej shqiptarëve mundësinë e tregut të lirë dhe frymëmarrjen konkurrencës së ndershme në çdo sektor të ekonomisë. Lufta kundër korrupsionit, anulimi i PPP-ve korruptive, ulja e taksave dhe taksa e sheshtë 9% do ta bëjnë Shqipërinë vendin e investimeve të mëdha dhe serioze, që bashkë me zhvillimin ekonomik do të sjellë dhe rritjen e numrit të vendeve të reja të punës me paga dinjitoze”, mbyll reagimin e tij kreu i PD.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë