Kombetarja

Basha dhe Hysaj flasin hapur: Sfida me Izraelin vendos fatet tona

Pas barazimit zhgënjyes me Jordaninë, skuadra kombëtare e Shqipërisë ka nisur përgatitjet për ndeshjen shumë të rëndësishme ndaj Izraelit. Përballja zyrtare e vlefshme për eliminatoret e Uefa Nations League luhet ditën e diele dhe është sfida e kthimit, pas triumfit në ndeshjen e parë të djemve kuqezinj. Sfida do të ketë një rëndësi të jashtëzakonshme për vetë pozitat e Shqipërisë në grup, pasi një fitore ose një humbje mund të vendoste shumë për ecurinë. Një humbje na nxirrte automatikisht nga lufta për t’u kualifikuar në raundin tjetër, ndërsa një fitore na çonte në vendin e parë si pretendentët kryesorë për të kaluar më tej. Tre pikët janë shumë e rëndësishme edhe për shkak të momentit që ekipi po kalon dhe debateve të mëdha që kanë qarkulluar në ditët e fundit me protagonist trajnerin Panuçi. Përpara mediave ditën e enjte, dolën futbollistët Elseid Hysaj dhe Migjen Basha. Të dy ishin pushim në takimin me Jordaninë, duke mos u hedhur në fushë për asnjë minutë nga tekniku italian, por sfidën e së dielës besohet se do të jenë titullarë.

I pari që ka folur për gazetarët të pranishëm në konferencë ishte mbrojtësi shkodran, Elseid Hysaj. Në fjalën e tij mbrojtësi që luan me Napolin në  Serie A, theksoi rëndësinë e madhe që ka fitorja në këtë përballje me Izraelin. “Të dielën, të gjithë duhet dhe do të japim maksimumin tonë, të luajmë mirë dhe të gjejmë rrugën e fitores për të vijuar më tej. Besoj shumë se ndaj Izraelit mund t’ia dalim. Dje ishte e vështirë, Jordania u mbyll, por ne treguam karakter. Çështja e golit ishte thjesht dhe vetëm punë centimetrash. Të njëjtët lojtarë jemi nga skuadra që fitoi në Izrael dhe ndryshime nuk ka shumë, dhe besoj se jemi gati për të luajtur ndeshjen. Në lidhje me skemat mund të them që të gjithë luajmë në kampionate të forta në Europë. Thjesht, na duhen 2-3 ditë që të kuptojmë si të japim më të mirën tonë në fushë. Po mendojmë maksimalisht sfidën e së dielës dhe bashkërisht kemi të gjitha mundësitë t’ia dalim.”- u shpreh mbrojtësi Hysaj.

Nga ana tjetër, mesfushori Basha nuk ka asnjë dyshim që kjo skuadër mund të japë sërish emocione të forta. Për Migjen Bashën kjo ndeshje me ekipin izraelit vendos fatet e kualifikimit dhe të gjithë djemtë duhet të bëhen bashkë për të marrë tre pikët.

 “Sigurisht që ky grup që jemi mund të vijojë me sukseset e tij. Tashmë ajo që na intereson është përballja e së dielës. Ndaj Izraelit duhet të japim maksimumin tonë.  Ne lojtarët, jemi ata që duhet të ngremë moralin. Duhet entuziazëm, dhe të luajmë si një finale, pasi kjo ndeshje do vendosë fatet tona në grup. Nëse bëjmë një rezultat të mirë atje, kemi shumë shanse për më  tej. Kemi besim dhe të gjithë bashkë do t’ia dalim”,- theksoi Basha. Të dy lojtarët, Hysaj dhe Basha që kanë dalë në konferencë bashkë ditën e martë, pas votimit që është bërë në mesin e lojtarëve të kombëtares janë përzgjedhur si dy zv.kapitenët e ekipit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë