Politike

Basha: Çdo vendim i qeverisë vitin e fundit do rishikohet, kur PD të vijë në pushtet

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, tha gjatë një takimi me operatorë të turizmit se “asnjë prej vendimeve të marra 12 muaj para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, kurdo që të jenë ato, nuk do të njihet nga qeveria ime pa iu nënshtruar një procesi transparence për të parë ligjshmërinë e vendimeve të marra”.

“Ndaj, - tha Basha, - i bëj thirrje çdo biznesmeni apo akoma më keq, sekserëve apo pseudobiznesmenëve mos të gënjejnë njerëzit kot, mos të ushqejnë ëndrrat kot që ushqehen sa herë vjen rotacioni i pushtetit, që një qeverie në ikje “t’i kapin ç’a t’i kapin”, sepse çdo vendim i marrë 12 muaj para zgjedhjeve parlamentare, qoftë Vendim Qeverie, qoftë Vendim i Këshillit të Rregullimit të Territorit - si ato që kaluan në dyjavëshin e parë të qershorit - qofshin vendime të Parlamentit apo pseudoparlamentit, do t’i nënshtrohen një rishikimi të plotë e transparent për të parë përputhjen me ligjshmërinë dhe interesin publik.”

Të martën, Basha komentoi gjithashtu raportin e Indeksit të Dhomës Amerikane të Tregtisë.

“Unë i kam dëgjuar shqetësimet e përfaqësuesve të Dhomës Amerikane, dhomave të tjera të tregtisë dhe industrisë, të biznesit të vogël etj. E di se biznesi ka nevojë urgjente për ndryshim të kësaj situate, për zgjidhje që garantojnë konkurrencë të ndershme, lehtësi fiskale dhe përmirësim të klimës së të bërit biznes.

Bazuar mbi këto nevoja ne kemi hartuar një platformë ekonomike në të cilën parashikohet: Taksa e sheshtë 9%, eliminimi dhe thjeshtëzimi i lejeve dhe licencave, eliminimi dhe bashkimi i 18 taksave për të rimoduluar sistemin tonë fiskal. Njëkohësisht plani ynë parasheh dhe ristrukturimin e agjencive dhe institucioneve doganore, fiskale dhe të regjistrimeve. Më thjeshtë dhe më lehtë për të gjithë.

Për mua dhe PD punësimi dhe zhvillimi ekonomik janë prioritetet kryesore dhe për ta arritur këtë ne do ta bëjmë Shqipërinë vend tërheqës për investimet e huaja, do të fuqizojmë biznesin vendas dhe do të reduktojmë hapësirat për abuzim dhe korrupsion që sot po i marrin frymën biznesit në Shqipëri”, tha Basha


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë