Politike

Basha: Bizneset deri 140 mln xhiro, taksat dhe tarifat lokale deri 0,5% të xhiros

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zhvilloi një takim me gra sipërmarrëse në qytetin e Elbasanit, ku bashkëbisedoi për klimën e sipërmarrjes dhe biznesit.

Gjatë takimit, Basha shpalosi planin e Partisë Demokratike për biznesin, që parashikon që çdo biznes me xhiron nën 140 milion lekë të vjetra në muaj nuk do të paguajë asnjë shumë mbi 0.5% të xhiros vjetore në vit, uljen e çmimit të energjisë elektrike dhe të naftës.

 Ai tha gjithashtu se një vendim tjetër i qeverisë së ardhshme do të jetë anulimi i procesit të fiskalizimit, ku sipas kreut të opozitës është një proces korruptiv.

“...Asnjë biznes me xhiron nën 140 milion lekë të vjetra në muaj nuk do të paguajë asnjë shumë mbi 0.5 % të xhiros vjetore në vit. Dhe kjo bëhet me qëllim që shtylla kurrizore, biznesi i vogël ta rimarrë veten dhe në këtë mënyrë të ndihmojë gjithë strukturën ekonomike shqiptare. E dyta është çmimi i naftës apo karburantit, naftë, benzinë dhe çmimi i energjisë elektrike. Edhe këtu ne thyejmë rekorde. Ulja e tyre do të garantojë që ju, jo vetëm të mbijetoni po të rinisni ciklin e prodhimit, të tregtimit, të shërbimeve dhe të krijimit të fitimit në vend të zhytjes në borxhe dhe falimentimit. Një pullë e vendosur në vitrinë, në dritare, në hyrje të biznesit të vogël, do t’ia bëjë të pamundur çdo lloj inspektori të shtetit, të futet brenda dhe të terrorizojë dhe të marrë nëpër këmbë sipërmarrësit, t’i trajtojë si të jenë skllevër të shtetit kur në fakt janë ata që mbajnë shtetin, mbajnë dhe shoqërinë, mbajnë dhe ekonominë. Këto pra, do të jenë hapa që menjëherë do t’i vijnë në ndihmë sipërmarrjes në tërësi...”, tha Basha.

 Kryetari i demokratëve premtoi një platformë të posaçme edhe për çiftet e reja me subvencione për interesat e kredive për banesat, me bonusin prej 30 mijë leke të vjetra për çdo fëmijë të porsa lindur deri në 5 vjeç, me tekstet falas dhe zgjatjen e orarit mësimor për t’ju ardhur në ndihmë si grave të punësuara ashtu dhe sipërmarrëse.

“Evazioni fiskal ka arritur kulmin, s’ka raport që nuk e përmend. Pse? Se i rrisin taksat, i trajtojnë 5 biznese si të nënës e 95 si të njerkës dhe pastaj ndërrojnë çdo dy vjet procedurat e fiskalizimit, kasat, e të tjerë, e të tjerë. Prandaj ju garantoj që ky proces të cilin ne e konsiderojmë korruptiv, do të ndalet dhe ju nuk do të paguani. Ata që kanë paguar do të rimbursohen sepse njësoj si gjobat e tjera që ka marr shteti shqiptar për shkak të papërgjegjshmërisë dhe klientelizmit të këtij kryeministri. Fiskalizim i themi ne tani, po është një proces thellësisht korruptiv do të ndalen dhe përgjegjësit do të vihen para ligjit”,  tha Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë