Politike

Basha akuzon Ramën për propagandë: Mbyll njerëzit në shtëpi, mban fasoneritë hapur

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha akuzon Qeverinë se propaganda është i vetmi mjet me të cilin po menaxhon situatën e krijuar nga pandemia e koronavirusit në vend.

“Ka ardhur momenti për ta thënë troç që situata nuk është mirë, që përgjegjësitë qeveritare nuk po zbatohen, qe menaxhimi i krizës po bëhet vetëm me një stil te njohur dhe bajat propagande, ndërkohë që pasojat po i shohim në terren”, thotë kreu i PD.

Basha solli dy shembuj, që thotë se janë prova më e fortë që menaxhimi i situatës po bëhet vetëm përmes propagandës. I pari lidhet me shëndetësinë.

“Ka afro një javë, apo 10 ditë që OBSH kërkon testime masive. Ndërkohë që ne nuk dimë sesa teste kemi. Këtu ka një mungesë totale transparence, ndërsa në Kosovë ndodh e kundërta. Mungesa e testimeve mund te ketë pasoja fatale, mund te tregojë vetëm majën e ajsbergut”, thotë ai.

Shembulli i dytë lidhet me mbështetjen financiare për shtresat në nevojë dhe sipërmarrjen.

“Që prej 10 marsit Shqipëria është ne masa drastike, dhjetëra mijëra, qindra biznese janë të mbyllura. Qindra mijëra familje janë pa të ardhura, si do te bëjnë? Çfarë duhet të bëjnë nga 10 marsi deri në 1 prill? Shpenzimet vazhdojnë si më përpara”, deklaron kreu i opozitës.

Basha iu referua hapjes së pesë tenderave nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit për të treguar se prioritet i Qeverisë nuk është shëndeti i qytetarëve as në këto momente.

“Zëri i kryeministrit më telefon nuk mbush barkun e fëmijëve. Mospagesa e qytetarëve të mbetur pa punë në mars është skandal. Prapë 5 veta marrin dhjetëra milionë euro për beton në një kohë vetëm betoni nuk është prioritet; prioritet është shëndetësia, prioritet mbështetja e njerëzve me ushqime, me medikamente, me te ardhura. Prioritet duhet të jetë ekonomia, duke nisur me biznesin e vogël që është shtylla e ekonomisë, fermeri dhe biznesi në tërësi”, thotë ai.

Basha akuzon Ramën se po bën show me telefonata, ndërsa qortoi edhe aktin normativ të mbështetjes financiare të nxjerrë nga qeveria, efektet e të cilit nisin nga 1 prilli, duke përjashtuar muajin mars.

“Nxjerrin një akt që thotë se efektet fillojnë në prill. Shpresoj të jetë gabim, gabim trashanik dhe ai që e ka bërë të marrë atë që meriton. Në qoftë se nuk është gabim, ky është skandal. Mbështetja duhet të kishte filluar prej kohësh”, thotë kreu i demokratëve.

Ai kërkoi ndalimin e të gjithë tenderave dhe përsëriti thirrjen për mbylljen e fasonerive, që i vlerëson burim serioz rreziku për përhapjen e virusit. Basha propozon që me paratë e tenderave të anuluar mund të paguhen punonjësit e këtij sektori që do të dërgohen në shtëpi. Përllogaritjet e tij nuk shkojnë më shumë se 15 mln euro. Basha e cilësoi standard të dyfishtë të Qeverisë, që nga njëra anë kufizon daljen e një personi për familje dhe nga ana tjetër lejon aktivitetin fason.

“Është standard i dyfishtë mos të mbyllësh fasonët. Të mbash të mbushura ambiente të vogla, të mbyllura, me mbi 100 punonjës. Gra, vajza, kryefamiljare. Pse i mban?! Sepse nuk do t’i kompensosh. Pse nuk do t’i kompensosh? I ke paratë. Shoqata e Fasonëve thotë se janë 70 mijë njerëz gjithsej. Paga është minimale pothuajse për shumicën prej tyre. Me 200 euro po t’i paguash ke 14 milion euro në muaj. Po i shtoj dhe 1 milion rezervë, 15 milion euro në muaj. Vetëm në dy ditë ka paguar, 22 milion javën e kaluar, 7 milion këtë javë. Kjo është e papranueshme. Prandaj i bëj thirrje t’i thërrasë mendjes, të lërë fjalimet skandaloze dhe të bëjë detyrën, sepse situata po kalon kufijtë e të papranueshmes”, shprehet Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë