Lezhë – “Askush nuk mund të drejtojë më pacientin apo familjarin, që të blejë ilaçe jashtë spitalit. Lista esenciale e barnave do të shpallet brenda datës 15 Maj në çdo pavion dhe shërbim urgjence dhe drejtorët e spitaleve do të jenë përgjegjës nëse do te ketë mungesa të këtyre barnave”. Deklarata u bë nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu gjatë konferencës shkencore të zhvilluar në Lezhë, me rastin e 50 vjetorit të krijimit të spitalit rajonal të Lezhës.
Sipas Ministres Manastirliu, këtë vit është arritur një marrëveshje kuadër, e cila i jep fund një herë e mirë barnave stok në spitale, shmang skadencat dhe mbulon nevojat me barnat esenciale për pacientët.
“Ne financojmë sot rreth 35 milion euro për barnat dhe pajisjet mjekësore në spitalet tona. Dhe nëse një spital si Fieri apo Vlora i ka barnat, nuk ka arsye pse të mungojnë në Durrës apo diku tjetër. Pra është çështje menaxhimi”, tha Manastirliu.
Teksa lajmëroi hapjen e një kursi intensiv për menaxhim shëndetësor për 40 drejtuesit e spitaleve, Ministrja u shpreh se puna e tyre do të matet me performancën që ata do të kenë dhe cështja e furnizimit me barna është patjetër një prej elementëve që do të duhet të përmbushet.
Duke u ndalur te investimet, Manastirliu theksoi se: “Nga Kukësi në Sarandë, nga Lezha në Korçë, gjatë 2018 do të investojmë 14 milion Euro për përmirësimin e spitaleve dhe qendrave shëndetësore, në të gjithë Shqipërinë”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.