Kombetarja

Bare dhe Kumbulla: Me Francën na bën punë edhe barazimi

Në konferencën e sotme për shtyp në vigjilje të ndeshjes së parë të kombëtares dolën mbrojtësi Marash Kumbulla dhe mesfushori Kejdi Bare. Ky i fundit që rikthehet në kombëtaren e madhe pas një sezoni shumë të mirë me ekipin e tij, Malaga shpreson që të ketë minuta në këto dy ndeshje shumë të rëndësishme.

Bare tha se e kishte pritur ftesën nga trajneri Reja, por për të luajtur tha se do jetë i duruar deri në momentin që trajneri do të marrë vendimin e tij. “Me thënë të drejtën e prisja shumë këtë ftesë dhe jam shumë i lumtur që jam këtu. Shpresoj të jap maksimumin për Kombëtaren. S’kam folur me trajnerin. Para dy ditësh bëmë një bisedë të shkurtër dhe foli fjalë shumë të mira. Besimin që më ka dhënë do ia kthej në fushë. Për formacionin e vendos trajneri, e rëndësishme është të bëjmë sa më mirë për të dalë me një rezultat pozitiv. Unë nuk stërvitem sepse ka lojtarë si Xhaka, Abrashi apo të tjerë. Unë stërvitem për veten time për të dhënë 100 përqindëshin tim. Shpresoj të dalim sa më mirë, pavarësisht se kush do të luajë”.

Sipas mesfushorit fierak ekipi në këto ditë grumbullimi ka punuar mirë dhe se synimi është që të merret një pikë me Francën dhe fitorja me Islandën. “Skuadrën e shoh shumë të motivuar. Punojnë që të gjithë në 100 përqindëshin e tyre. Megjithatë Franca është ekip i madh. Pavarësisht se ka lojtarët të dëmtuar, ata kanë një stol luksi. Unë besoj se në futboll arrihet çdo gjë, pavarësisht me cilin ekip luajmë. Ne duhet të japim 100 përqindëshin tonë. Të them 6 pikë, bëhem egoist sepse Franca ka një skuadër shumë të mirë. Megjithatë edhe mund të arrijmë një fitore. Por, me thënë të drejtën edhe me një barazim jam i kënaqur”.

Më tej duke folur për sezonin e tij te Malaga, ku këtë vit do të ketë shok skuadre dhe Armando Sadikun, Bare u shpreh se pret një vit prej protagonisti.

“Është vetëm fillimi. Një lojtar s’bën vetëm një sezon të mirë dhe pastaj ta mbyllë. Shpresoj të bëj më të mirën time. Besoj se do arrij në këto hapa që jam tani. Kjo është gjë e mirë jo vetëm për mua, por edhe për ekipin tim. Fola me Sadikun dhe më tha që ndihet shumë mirë. Njerëzit në Malaga janë shumë mikpritës. Besoj se do të japë maksimumin e tij për të bërë më të mirën për Malagan”.

Ndërsa debutuesi Marash Kumbulla që pret gjithashtu të ketë minuta në këto ndeshje u shpreh me nota pozitive për atmosferën që ka gjetur në grupin kuqezi.

“Me trajnerin e ri kam pasur më shumë hapësira te Verona dhe uroj të luaj gjatë gjithë kampionatit. Jam i përqendruar të jap maksimumin për ekipin aktual, nuk mendoj për të ardhmen. Idhulli? Më pëlqen shumë Xhorxhio Kielini. U emocionova shumë kur mora ftesën e Kombëtares, sepse mendoja se do të isha përsëri pjesë e Shqipërisë U-21. Sigurisht, u lumturova kur më thirri trajneri Edi Reja, i cili e ndjek kampionatin italian. Nuk kam biseduar ende me të. Në skuadër më kanë pritur të gjithë shumë mirë. Kemi lojtarë me eksperiencë dhe shpresojmë të marrim sa më shumë pikë në dy ndeshjet që kemi përpara”, - theksoi mbrojtësi i qendrës, Marash Kumbulla, i cili po aktivizohet titullar me Veronën në Serinë A.

Sakaq sot është mësuar edhe treshja e arbitrave që do të gjykojë ndeshjen Francë - Shqipëri. Do të jenë arbitra spanjollë me kryesor Hezus Gil Manzano që do të vënë drejtësinë në Paris.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë