Futboll

Barcelona vazhdon marshimin, Liverpuli magjeps në Mynih

Edhe sfidat e së mërkurës në fazën e 1/8 të Ligës së Kampionëve kanë dhuruar spektakël dhe emocione të mëdha. Barcelona ka shkatërruar 5-1 Lionin në shtëpinë e saj, në “Camp Nou”, duke kaluar në fazën tjetër pa asnjë problem. Në fazën tjetër të këtij kompeticioni ka kaluar edhe Liverpuli që ka mposhtur në shtëpi e tij Bajernin në shifrat 1-3.

Ndeshja në “Camp Nou” nuk kishte alternativë tjetër për Barcelonën përveç fitores, e ndikuar shumë edhe nga rezultati i ndeshjes së parë, që ishte mbyllur në barazim. Lionel Mesi tregoi edhe një herë tjetër veten, duke e marrë ekipin prej dore me dy golat e tij, por mbi të gjitha me lojën e treguar. Që në pjesën e parë, u duk që kjo ndeshje nuk do të kishte shumë histori edhe pse francezët provuan të bëjnë rezistencë deri në një farë pike. Rezultati 5-1 mund të kishte qenë më i thellë, por në disa raste lojtarët katalanas u dukën të ngopur me këto shifra dhe tashmë janë me mendjen te kundërshtari që do të kenë përballë në fazën tjetër.

Spektakolare ishte edhe ndeshja e luajtur në “Allianz Arena”. Bajerni ka rënë në shtëpinë e tij përballë një Liverpuli që magjepsi me lojën e zhvilluar dhe grintën për të kaluar në raundin tjetër. Dy golat e Mane në fillim dhe në fund gëzuan pa mase Jurgen Klop, që edhe një herë tjetër ia del që ta mposhtë ekipin më të madh gjerman, që tashmë do duhet të mendojë për një revolucion total, pasi Roben dhe Riberi nuk janë më të njëjtët e para disa viteve. Me kalimin e “the reds” bëhen 4 ekipe angleze në këtë raund të Ligës së Kampionëve, gjë që nuk ndodhte prej më shumë se 10 vite.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë