Futboll

Barça turpëron Realin në shtëpi dhe fluturon në finale

Me një rezultat të thellë dhe turpërues pikërisht në shtëpinë e kampionëve të Europës, Barcelona ka prerë biletën e saj për në finalen e Kupës së Mbretit. Katalanasit kanë mposhtur 0-3 Realin e Madridit në stadiumin “Santiago Bernabeu”. Barazimi i ndeshjes së parë 1-1 në “Camp Nou” nuk ka ndikuar aspak në lojën e të dyja skuadrave që hynë në fushë për të bërë lojën në stilin e tyre.

0-3 tregon për një dominim të miqve nga Katalunja, por në fakt nuk ishte kështu. Në pjesën e parë dominimi i lojës i takoi vendasve madrilen që prodhuan më shumë volum loje dhe iu afruan disa herë golit. Por Vinicius pa eksperiencë dhe Benzema me gabimet e zakonshme nuk arritën dot të konkretizojnë. Dhe siç është ligji i pashkruar në futboll, që kur nuk shënon e pëson, ashtu ndodhi mbrëmjen e kësaj të mërkurë në Kupën e Mbretit.
Në pjesën e dytë Barcelona do të shënonte tre gola të shpejtë një pas tjetrit. Goli i parë erdhi nga Luis Suarez, më i miri në fushë për të dyja ekipet. Më pas goli i dytë në portën e Kurtua do të shënohej nga mbrojtësi madrilen Varanë, që aksidentalisht shtyu topin në rrjetën e tij. Për ta kurorëzuar më së miri këtë mbrëmje spektakolare të tij, Luis Suarez fitoi edhe një penallti në minutën e 73’, të cilën uruguaiani vendosi ta ekzekutojë vetë për t’i çuar shifrat në 0-3 dhe firmosur kapitullimin pa kushte të Real Madrid.

Barcelona shkon kështu në finalen e Kupës së Mbretit dhe është në garë për të treja trofetë sezonal, Kupë, Kampionat dhe Champions. Ndërsa Real Madrid me 9 pikë diferencë nga kreu që mbahet nga Barcelona, mundësinë më reale për të dalë me një trofe nga ky sezon ka Ligën e Kampionëve, duke tentuar ta fitojë atë për herë të katërt radhazi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë