Futboll

Barça pret Lionin, në Mynih përballen titanët

Pas emocioneve të mëdha të së martës Liga e Kampionëve vijon me të njëjtat emocione edhe këtë të mërkurë. Priten sërish gola dhe spektakël, pasi emrat që zbresin në fushën e lojës janë të mëdhenj. Barcelona do të presë më shtëpi Lionin, pas barazimit në raundin e parë, duke tentuar që të kualifikohet sa më lehtë në fazën çerekfinale. Ndërsa në “Allianz Arena” të Mynihut luhet një përballje e vërtetë titanësh. Vendasit bavarez presin në shtëpi Liverpulin dhe çdo gjë është e hapur pas barazimin 0-0 në ndeshjen e parë.

Lionel Mesi me shokë do të kërkojë që ta fitojë këtë edicion të Ligës së Kampionëve, por në fillim duhet të kalojnë pengesën franceze që dy javë më parë hapën jo pak probleme. Me kampionatin që po shkon në drejtimin e duhur, Liga e Kampionëve është objektivi madhor për ta mbyllur në mënyrë sa më të suksesshme këtë sezon, për më tepër, duke parë edhe dështimin e rivalëve të përjetshëm të Real Madrid. Ndeshja pritet shumë e luftuar, pasi Lion është një skuadër e fortë dhe shumë fizike dhe aftësinë për t’i hapur probleme çdo ekipi e ka treguar më shumë se një herë këtë sezon. Valverde nuk do të ketë mungesa të rëndësishme dhe pritet që në fushën e “Camp Nou” këtë të mërkurë të zbresë formacioni më i mirë.

Në të njëjtin orar me ndeshjen në Katalonjë do të përballen me njëra tjetrën edhe Liverpuli dhe Bajerni për të ndarë mes tyre një biletë për në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve. Barazimi 0-0 në ndeshjen e parë është një rezultat shumë i rrezikshëm për të dyja ekipet, pasi Liverpuli do duhet të shënojë një gol nëse dëshiron të kualifikohet, ndërsa Bajerni nga ana tjetër duhet të mundohet të mos pësojë, ose përndryshe do jetë i detyruar ta fitojë me çdo kusht këtë sfidë. Për të dyja ekipet nuk ka mungesa të rëndësishme, por gjithsesi do duhet pritur se cilat do të jenë formacionet që do të zbresin në fushë që nga minuta e parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë