Kombetarja

Barazimi me Andorrën, Bushi: Fajin e kishte fusha dhe dëmtimet

Edhe pas një barazimi turpërues si ai me modestët e Andorrës pak ditë më parë, përgjegjësitë nuk i shkojnë trajnerit të kombëtares U-21, por tjetër kund. Nëse për humbjen me Turqinë fajin e kishte fati i keq këtë herë ishte fusha sintetike që i solli humbjen ekipit kuqezi. Të paktën kështu shpreh trajneri i përfaqësueses “Shpresa”, Alban Bushi në konferencën për shtyp nga zyrat e FSHF-së këtë të premte. Duke analizuar dy sfidat e para të këtyre eliminatoreve, Bushi tha se ekipi i tij u kushtëzua shumë edhe nga dëmtimet dhe mungesa e eksperiencës në këto dy përballje.

“E thashë që do të jenë ndeshje të rëndësishme dhe të forta. Me Turqinë ekipi luajti mirë për 90 minuta, e dominuam. Krijuam 3-4 raste për gol, por Turqia me alternativat që ka realizoi një gol në fund për shkak se mbrojtja ishte vendosur keq. Kjo vjen sepse lojtarët tanë nuk luajnë shumë. Kemi probleme në mbrojtje. Në ndeshjen me Andorrën nuk kishim kohën e duhur, sepse udhëtuam direkt. Në fushë plastike na u dëmtua Shehu. Kërkuam anulimin e ndeshjes për shkak të fushës. Megjithatë, të nesërmen ata vendosën të luanim atje. Na u vra Mala atje. Nuk është i pranueshëm ky rezultat për ne, por gjithsesi duke parë rezultatet e tyre janë të justifikuara. Thosha gjithmonë pse janë kaq të fortë në shtëpi, por vjen si pasojë e fushës. Do ta shënonim shumë shpejt edhe golin e dytë, por u bë një gabim individual. Nuk duhet ta kishim marrë si barazim”, tha ai.

Bushi largoi përgjegjësinë për këto dy rezultate negative, duke thënë se lojtarët i respektuan direktivat e tij. “Do të ndjeja nëse skuadra nuk do të bënte atë që kërkoja unë. Të jeni të sigurt se jemi më të mirë se Andorra. E dominuam Andorrën. Vajtëm vetëm 2 herë në portë. Gjithsesi është e pafalshme. Ekipi po luan mirë. Na penalizoi fusha. Nuk luhet në 2019-ën në atë fushë. Iu drejtuam edhe UEFA-s. I mësojmë lojtarët të luajnë “FAIR”, jo të vonohen siç bëjnë ata”, theksoi ai.

Përtej rezultateve të dobëta në fushën e lojës, Alban Bushi u shpreh se nga këto dy ndeshje janë marrë përgjigje pozitive nga disa futbollistë të rinj. “Kam evidentuar shumë lojtarë. Rast i fundit është Bajrami që s’ka qenë te ekipet e moshave. Ky është objektivi i FSHF-së. Këtë më kanë venë si objektiv. Duhet të çojmë sa më shumë në ekipin A. Kemi luajtur mirë futboll. Lojtarë Shqipëria ka edhe nga Maqedonia. Skautët janë atje dhe po ndjekin lojtarë. Probleme kemi në repartin e mbrojtjes. Të gjithë shqiptarët duan t’i bëjnë fëmijët sulmues dhe mesfushorë. Po punohet me mbrojtjen dhe shpresoj që të kemi një mbrojtje më të fortë”, vazhdoi Bushi.

I pyetur për qokat dhe favoret që bëhen në ekipin kombëtar u-21, Bushi mohoi çdo akuzë, duke u shprehur se gjëra të tilla nuk mund të ekzistojnë në ekipin kombëtar. “Nuk bëhet fjalë për qoka. Nuk e imagjinoj dot si mund të bëhet një qokë. Patjetër që mund të gabojmë. Gjithsesi kemi menduar të bëjmë të mirën. Pavarësisht se në Andorra duhet të kishim fituar. Opinioni i të tjerëve nuk më intereson. Unë pashë 2-3 lojtarë që nuk dhanë maksimumin në fushë, pavarësisht fushës. Jam i indinjuar me këtë pjesë. Ishte e pafalshme.”

Në fund të prononcimit të tij, trajneri i përfaqësueses “shpresa” tha se nuk i druhet ndonjë shkarkimi të mundshëm për shkak se ai nuk ka objektiv rezultatet, por furnizimin me lojtarë cilësore ekipin A. “Jo fare, se kam menduar asnjëherë. Nuk kemi objektiv për t’u kualifikuar, është ndeshja e radhës dhe prurja në Kombëtare A. Jam përqendruar këtu, është emocion i madh. Se kam menduar kurrë për Kombëtaren A. Mund t’i marrim të gjitha pikët, por edhe jo. Kemi treguar se dimë të luajmë. Mund t’i marrim ne Anglisë, siç na mori Andorra. Në këtë grup do të lëmë shumë ekipe mbrapa nesh” tha Alban Bushi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë