Nga Gazeta ‘SI’- Në Tiranë, u nënshkrua sot marrëveshja për një linjë të re financimi me vlerë 20 milionë euro ndërmjet Bankës Europiane të Investimeve dhe Intesa Sanpaolo Bank Albania, me qëllim mbështetjen e bizneseve të vogla dhe të mesme shqiptare në inovacion, digjitalizim, teknologji dhe investime të gjelbra.
Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në firmosjen e marrëveshjes, nga ku premtoi se qeveria do të bëjë gjithçka është e mundur për të mbështetur të gjithë ata njerëz që i besojnë sipërmarrjes së lirë dhe ndërmarrjeve të tyre të vogla e të mesme.
Kryeministri përmendi dhe krijimin e Bankës Shqiptare të Zhvillimit, si një instrument i ri që do të shërbejë si urë midis qeverisë dhe Bankës Europiane të Investimeve.
“Po pres me padurim që të forcojmë bashkëpunimin me Bankën Evropiane të Investimeve. Së pari për të marrë sa më shumë të jetë e mundur nga dija juaj e jashtëzakonshme dhe së dyti sigurisht për t’ju bërë të investoni më shumë në Shqipëri”, shtoi Rama.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri theksoi se Shqipëria nuk ka pasur kurrë një “plan B” në raport me integrimin në Bashkimin Europian.
“Nuk ka alternativë përkundrejt lirisë individuale dhe shtetit të së drejtës, pra përpara ligjit. Shqipëria kurrë nuk ka pasur një plan B. Shqipëria kurrë nuk i ka hedhur sytë në një drejtim tjetër. Sepse ne e dimë prej historisë tonë, e kemi mësuar në kurriz që çdo plan i mundshëm B apo C është plan pa liri individuale dhe pa barazi përpara ligjit. E kemi pasur për një kohë të gjatë dhe nuk duam as ta çojmë nëpër mend që mund të bëhemi si në ato kohë. Natyrisht kohët kanë ndryshuar dhe po shfaqen aktorë të tjerë ndryshe, por thelbi është aty”, shtoi Rama.
Sipas kryeministrit, në këtë proces vetëm ligjet nuk janë të mjaftueshme, por ajo që duhet është njohuria që ofron Bashkimi Europian.
“Bashkimi Europian ofron njohuri që askush në botë nuk i ka dhe ky është bekimi ynë, ky është shansi ynë dhe ne duam të përfitojmë prej tij. Ju po na ndihmoni për këtë gjë dhe dua të sigurohem që ta dini që në fakt keni të drejtë që po na ndihmoni. Ne jemi një vend që ka probleme, por kemi bërë një rrugë të gjatë për të ardhur këtu ku jemi”, tha Rama, ndërsa shtoi se është i vetëdijshëm edh se ka ende rrugë për t’u bërë derisa vendi të jetë pjesë e Bashkimit Europian.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje